Autorët

Shtëpitë Botuese

Postimet më të fundit

  • Gabriel Garcia Márquez, pesë librat... 2014-04-21 09:51:38 Nobelisti Gabriel García Márquez u bë i njohur botërisht në vitin 1967 me romanin “Njëqind vjet vetmi”. Javën e kaluar, mjeshtri i letërsisë...
  • Shuhet Markezi, gjiganti i letërsisë 2014-04-18 11:03:12 Vdekja nuk të vjen nga pleqëria, por nga harresa – shkruante mjeshtri i letërsisë, Gabriel Garcia Markez. E sigurt është që vepra e tij nuk do...
  • Gjëra që nuk i dini për Shekspirin 2014-04-14 09:13:30 Muaji prill zakonisht përkujtohet si muaji i Shekspirit, meqë botërisht dita e lindjes së tij njihet 26 prilli i vitit 1564, ndërsa ka ndërruar...
Shiko të gjithë postimet

Excipere, Fjalor Etimologjik i gjuhës shqipe

Excipere, Fjalor Etimologjik i gjuhës shqipe

Autori: Gustav Meyer
Botuesi: ÇABEJ
Faqe: 596

Më shumë detaje


1,200 L

2027

Etimologjia është ajo degë e gjuhësisë që i tërheq veçanërisht amatorët e dashamirësit, me gjithë kërkesat e mëdha që ia bën lexuesit. Etimologu studion prejardhjen e fjalëve të një gjuhe, duke ua qëmtuar historinë hap pas hapi, në tekstet e shkruara, në mbishkrimet ose në gjurmët që kanë lënë në gjuhë të tjera e në dialektet periferike.

Nëse për gjuhë si italishtja ose frëngjishtja etimologjia kryesisht ndalet në momentin që një fjale i gjendet prejardhja latine, për gjuhë të tjera si shqipja, të cilave nuk u dokumentohet ndonjë fazë e lashtë, metodat që duhen ndjekur janë më të tërthorta. Etimologut i lypet kështu të njohë mirë jo vetëm gjuhën e vet dhe gjuhë të tjera, por edhe historinë, historinë e kulturës materiale dhe parahistorinë; sikurse duhet edhe të ketë sensin e masës dhe intuitën e nevojshme, për të mos e tepruar me hipoteza dhe fantazi sugjestive por të pambështetura. Jo rrallë, historia e fjalëve ia çel dyert historisë së kulturës dhe dijetarët janë në gjendje të kuptojnë diçka më tepër nga rrethanat e jetës së të parëve të shqiptarëve, ose për marrëdhëniet e tyre me popuj të tjerë.

Kjo punë prej detektivi të mirëfilltë ka admiruesit e vet, por shpesh i "dënon" autorët me vite, në mos dekada të tëra të kaluara detyrimisht bibliotekave e arkivave, duke marrë në pyetje fjalë e forma gjuhësore që ndonjëherë e kanë humbur zërin prej kohësh ? Dihet, gjithashtu, se shqipja është dokumentuar për herë të parë me shkrim gjatë shekullit XV, dhe libri i parë shqip që njihet deri më sot, "Meshari" i Gjon Buzukut, është botuar në vitin 1555.

Deri andej nga gjysma e dytë e shekullit XIX, tradita e shkruar e shqipes ruhej kryesisht nga klerikët katolikë të veriut shqiptar dhe elitat kulturore provinciale në ngulimet arbëreshe në Itali të Jugut. Ata gjuhëtarë që dëshironin të hulumtonin historinë e gjuhës më herët se shekulli i XIV, ishin të detyruar të bënin përpara shumë ngadalë, praktikisht në errësirë. Ndër studiuesit e asaj kohe, Gustav Meyer-i ishte i pari që e rroku leksikun e shqipes në tërësinë e vet të njohur; dhe gjithashtu i pari që ia mati shtrirjen dhe peshën elementit latin në këtë gjuhë. Falë etimologjive të këtij autori, u qartësua se të parët e shqiptarëve kishin qenë në kontakt të afërt me Romën, madje për një kohë aq të gjatë sa të huazonin prej latinishtes një numër të madh fjalësh e strukturash kuptimore. 

Elementi latin ka rëndësi të pashoqe për historinë e shqipes dhe të shqiptarëve. Vetëm falë hipotezave të kujdesshme dhe të mbështetura mirë të Gustav Meyer-it, u bë e mundur të hidheshin bazat e fonetikës historike të shqipes; meqë fjalët me prejardhje latine në këtë gjuhë plotësuan, tërthorazi, çka u mungonte studiuesve: forma të lashta të fjalëve shqipe.

Shumë prej arritjeve të dijetarëve të mëpasëm, si Pedersen-i, Jokl-i dhe Çabej, u mbështetën fund e krye në punën udhërrëfyese të Meyer-it. Për më tepër, rregullsitë historike-fonetike që iu përcaktuan shqipes falë prejardhjes latine të shumë fjalëve shqipe, do të përdoreshin pastaj për të rindërtuar forma të lashta të fjalëve të tjera të gjuhës, e për të zbuluar një numër të madh elementesh indo-europiane të mirëfillta në vetë shqipen, si dhe për të përshkruar më mirë e shkencërisht më saktë vendin e shqipes brenda familjes gjuhësore indo-europiane. 

Nga ana tjetër, edhe pse dihej që shqipja kish huazuar një numër fjalësh prej gjuhëve fqinje, Gustav Meyer-i ishte i pari që vlerësoi peshën specifike të elementeve turke, sllave, italiane dhe greke moderne e mesjetare në shqipe, për t’u dhënë studiuesve një numër mjetesh hetuese të domosdoshme për hulumtimin e dinamikës së marrëdhënieve kulturore dhe antropologjike në Ballkanin e lashtë dhe modern.

Profesori prej Graz-it ishte edhe një pionier i studimit të marrëdhënieve shqiptaro-rumune të hershme, dhe puna e tij me elementin latin të shqipes jo vetëm që ndihmoi për të ftilluar çka më pas do të quhej latinishte ballkanike, por edhe shtroi rrugën për përftimin e vetë konceptit të lidhjes gjuhësore ballkanike. Për lexuesin dhe studiuesin e sotëm, fjalori legjendar i Meyer-it njëkohësisht përfaqëson edhe një dëshmi të mrekullueshme të një faze më të vjetër të shqipes, gjatë së cilës gjuha ende nuk u ishte nënshtruar shndërrimeve programatike të cilat ndodhën gjatë Rilindjes Kombëtare, prej shkrimtarëve, publicistëve dhe ndriçimtarëve; qëmtimit dhe mënjanimit të shumë turqizmave e huazimeve të tjera; hyrjes në përdorim të fjalëve të krijuara rishtas ose neologjizmave; dhe përftimit të një ligjërimi të shkruar shqip që, në thelb, pasqyronte programin e kombëtarizmit shqiptar.

Si përmendore në historinë e studimeve albanologjike dhe si shembull i shkëlqyer i metodës krahasimtare të zbatuar; si thesar fjalësh dhe formash që tashmë praktikisht janë zhdukur prej përdorimit ose janë shtyrë në skajet e ligjërimit; dhe si mjet i domosdoshëm për të kuptuar evolucionin e gjuhës shqipe së paku gjatë 2000 vjetëve të fundit, Fjalori Etimologjik i Meyer-it përfaqëson një ndihmesë të lumtur në bibliotekën e veprave të çmuara albanologjike, të cilat po kujdeset t’i sjellë të përkthyera në shqipe shtëpia botuese Çabej, me gjerdanin e vet të mirënjohur "Excipere", drejtuar me pasion, kompetencë e përkushtim të veçantë nga Ledi Shamku-Shkreli

    Titulli: Excipere, Fjalor Etimologjik i gjuhës shqipe

    Viti i botimit: 2007

    Autori: Gustav Meyer

    Botuesi: ÇABEJ

    ISBN: 978-99927-339-1-2

    Faqe: 596

    Përkthyesi: Anila Omari

Nuk ka akoma komente të lexuesve për këtë libër.

Ju duhet të jeni një përdorues i regjistruar që të mund të postoni komente për librat.

Shporta  

Shporta juaj është bosh

Transporti 0 L
Total 0 L

Paguaj