Dorëshkrimi i gjetur në Akra Shihe të zmadhuar

DORËSHKRIMI I GJETUR NË AKRA

Autori: Paulo Coelho

Botuesi: TOENA

Faqe: 184

Viti i botimit: 2017

PAULO COELHO di të të magjepsë e të të bëjë për vete në çdo libër... 
“DORËSHKRIMI I GJETUR NË AKRA” është një himn për jetën...


700 L



Libri mund të porositet nga çdo vend i botës. Transporti në Shqipëri është falas, përsa i përket vendeve të tjera, vlera e transportit ndryshon në vartësi të vendit. Vlerën e saktë të transportit e mësoni në momentin që mbyllni porosinë.

Përshkrimi

Detajet

Rreth Librit

 

14 korrik 1099. Ndërsa Jerusalemi përgatitet për dyndjen e kryqtarëve, një burrë grek, i njohur si Kopti, mbledh gjithë banorët e qytetit, të rinj e të moshuar, gra e fëmijë, në sheshin ku Pilati kishte dorëzuar Jezuin drejt fundit të tij. Mes gjindjes përreth ka të krishterë, hebrenj e myslimanë, të mbledhur trumë, në pritje të fjalimit që duhet t’i përgatisë për betejën e afërt, por Kopti nuk do t’u flasë për të: plaku i urtë i grish të kthejnë shikimin nga mësimet e jetës së përditshme, nga sfidat dhe nga vështirësitë që duhen përballur. 
Sipas Koptit, mençuria  e vërtetë buron nga dashuria, nga dështimet e vuajtura, nga ditët e krizës, po aq sa nga të lavdisë, si dhe nga bashkëjetesa e përditshme me pashmangshmërinë e vdekjes. 
Dorëshkrimi i gjetur në Akra, është një ftesë për të reflektuar mbi parimet tona dhe mbi humanizmin tonë; është një himn për jetën, për të jetuar çastin kundër vdekjes së shpirtit.


- fragment -

“Na e thotë natyra se duhet të ndryshojmë. 
Prandaj njerëzit, që nuk i druhen Engjëllit të Fatit, kuptojnë se duhet bërë përpara, pavarësisht frikës. Pavarësisht dyshimeve. Pavarësisht akuzave. Pavarësisht kërcënimeve.
Përballen me vlerat e tyre dhe përpiqen të fshijnë paragjykimet. Dëgjojnë këshillat e njerëzve më të afërt: ‘Mos e bëj! S’të mungon gjë: dhembshuria e prindërve, dashuria e gruas dhe e fëmijëve, puna që fitove me shumë sakrificë. Mos rreziko që të gjendesh i huaj në një tokë që nuk të përket’. 
E, megjithatë, hapin e bëjnë - herë të nxitur nga kureshtja, herë nga ambicia, por zakonisht, të shtyrë nga dëshira e papërmbajtshme për aventurë. 
Në çdo kthesë të rrugës, tmerri ua kaplon gjithnjë e më shumë shpirtin. Atëherë habiten me veten, se ndihen më të fortë e më të hareshëm. 
Hareja. Ndër bekimet kryesore të të Plotfuqishmit. Hareja na tregon se jemi në rrugën e duhur. 
Pak e nga pak, edhe frika lëmeket - nuk e ka marrë vëmendjen e dëshiruar.
Në hapat e parë të rrugëtimit, një pyetje buçet në mendje: ‘Lëndova njeri kur vendosa të ndryshoja?’.
Ai që ka dashuri, dëshiron ngaherë lumturinë për atë që do. Edhe nëse, në fillim, ka ndier njëfarë ngurrimi, shumë shpejt këtë ndjesi e zëvendësoi krenaria, kur shikon tjetrin që bën atë që do, për të arritur atë që ka ëndërruar.” 


- fragment -

“Është më mirë të kesh dashuruar e të kesh humbur, sesa të mos kesh ndier kurrë ndjenjën më të lartë e fisnike.” 

* * *

“Zgjedhja e vetme dhe e vërtetë në jetën tonë është të humbojmë në misterin e forcës së pamat të Dashurisë. Mund ta dëbojmë Dashurinë nga pragu i zemrës sonë, ndoshta duke thënë: ‘Kam vuajtur shumë dhe e di se edhe sërish më pret dështimi’, por kështu vdekja do të na kaplojë me të vërtetë. 
Natyra është shfaqja më e thellë e Dashurisë së Perëndisë. Pavarësisht sjelljeve tona të çmendura, vazhdon të na dojë. Ta respektojmë, pra, e të mundohemi t’ia rrokim mësimet. 
Të orvatemi të dashurojmë, sepse dashuria na jep lirinë. Të vendosim të themi me zë të lartë ato fjalë që nuk kemi pasur guximin t’i pëshpëritim.
Të ngutemi t’i marrim ato vendime që kemi lënë pezull prej kohësh.
Të mësojmë të themi ‘Jo’, pa menduar se është fjalë e mallkuar. 
Të fillojmë të themi ‘Po’, pa druajtje për pasojat. 
Të harrojmë çdo gjë që kemi mësuar mbi dashurinë, se çdo takim është ndryshe nga të tjerët e sjell çaste angështie e ngazëllimi. 
T’ia marrim këngës me zë të lartë, kur njeriu i zemrës është larg e t’i pëshpëritim poezi në vesh, kur është pranë. Ndoshta nuk do të dëgjojë e nuk do t’i japë rëndësi thirrjeve e pëshpërimave tona, por kjo nuk do ta venitë dashurinë tonë.
Të mos refuzojmë të shohim Universin duke thënë: ‘Është terr’. T’i bëjmë sytë katër, me vetëdijen se drita na bën të sillemi në mënyrë të pamenduar e të mrekullueshme - sepse është diçka që i përket Dashurisë.
T’ia hapim zemrën Dashurisë, pa frikë, sepse nuk kemi ç’të humbim. 
Veç kështu, me t’u kthyer në shtëpi, do të zbulojmë se dikush po na pret, dikush që rreket të gjejë bash atë që kërkojmë edhe ne, dikë që vuan të njëjtat brenga e ligështi. 
Sepse Dashuria është si ujë që bëhet re: ngrihet në qiell dhe arrin të shquajë çdo gjë - me vetëdijen se, një ditë, do t’i duhet të kthehet mbi tokë.
Sepse Dashuria është si reja që bëhet shi: tërhiqet nga toka teposhtë e ngulmon t’i bëjë fushat të begata. 
Dashuria është veç një fjalë, deri në çastin kur vendosim ta lejojmë të na zotërojë me gjithë forcën e saj. 
Dashuria është veç një fjalë, deri në çastin kur mbërrin dikush që i jep kuptim. 
Kurrë mos e braktis shpresën. Zakonisht, çelësi i fundit i tufës e hap derën.”

Titulli:Dorëshkrimi i gjetur në Akra
Autori:Paulo Coelho
Botuesi:TOENA
PërkthyesiErion Gjatolli
Faqe:184
Botuar me:2017
Pesha:0 Kg