Mbiemri i ri Shihe të zmadhuar

MBIEMRI I RI

Autori: Elena Ferrante

Botuesi: PEGI

Faqe: 490

Viti i botimit: 2017

Një roman përpirës, rrëzëllitës, i jashtëzakonshëm, pjesë e një sage epike, mbi
absurditetin, kompleksitetin dhe bukurinë e qenies njerëzore.


1 200 L



Libri mund të porositet nga çdo vend i botës. Transporti në Shqipëri është falas, përsa i përket vendeve të tjera, vlera e transportit ndryshon në vartësi të vendit. Vlerën e saktë të transportit e mësoni në momentin që mbyllni porosinë.

Përshkrimi

Detajet

“Mbiemri i ri” është vëllimi i dytë i sagës napolitane, e cila fillon me romanin
jashtëzakonisht të suksesshëm, “Mikesha gjeniale”. Elena rrëfen historinë e
jetës së saj e, në mënyrë të tërthortë, edhe atë të Linës, me të cilën është njohur
e shoqëruar që në klasë të parë.
Lina Çerulo, e sapomartuar, është tashmë një grua në grackë, e tradhtuar, e
poshtëruar, e njëkohësisht e paharrueshme për lexuesit, si një Bovari
moderne. Lagjja e varfër dhe e ndotur ku ajo dhe Elena janë rritur bëhet një
prani gjithnjë e më e dhunshme, një personazh në një sagë që drithëron me
personazhet plot jetë e vërtetësi.
Libri i dytë fillon me martesën e Linës në moshën 16-vjeçare. Në disa skena
të hershme e tronditëse, mësojmë se si Lina shndërrohet në Zonjën Karraçi,
përmes dhunës e mashtrimit. Fillimisht, Elena mendon se “statusi i
bashkëshortes e kishte mbyllur në njëlloj ene të qelqtë”. Më pas, kur burgimi
i saj bëhet i qartë, ajo vëren se si gratë e lagjes “hiqeshin zvarrë eshkë të thata,
sy e faqe zgavruara, ose më vithet e gjera, noçkat e këmbëve të buhavitura,
gjokset e rënda, torbat e pazarit, vocërrakët që u vareshin pas fundeve dhe që
u kërkonin t’i merrnin hopa.” Ajo pyet veten se “Kur zinte fill vallë ai
shndërrim? Me punët e shtëpisë? Me barrën? Me dajakun?”
“Mbiemri i ri” i referohet shndërrimit të Linës në zonjën Karraçi, por jo
vetëm. Siç ndodh rëndom me Ferranten, titulli i referohet edhe Elenës dhe
zgjedhjeve të jetës së saj, fort të ndryshuar, larg qytetit të lindjes.
Kompromiseve që do të bëjë për të ruajtur një status të ri, aq fort të kërkuar
e të ëndërruar, sakrificave shpirtërore që do t'i kërkohen si flijim i ruajtjes së
sekreteve e njëkohësisht edhe pamjaftueshmërisë së brendshme që do ta
shtyjë gjithmonë drejt Linës, në një ekuilibër rrëqethëses rolesh e modelesh,
nga të cilat duket se asnjë nga personazhet nuk mund të çlirohet.
Saga napolitane është botuar në 40 vende të botës dhe deri më sot, ka shitur
rreth tre milionë kopje.
Kritika
Elena Ferrante është një nga romancieret më të mëdha të kohës sonë!
- The New York Times Book Review
Lexoni gjithçka nga Elena Ferrante.
- The Boston Globe
Saga napolitane nuk është një ndër veprat e para të Ferrante-s. [...] Por ajo
është vërtet ndryshe, i përket një rendi artistik krejt tjetër. Nganjëherë ndodh
një gjë e tillë: një shkrimtar punon në mënyrë të zellshme e të qëndrueshme
për ca kohë dhe pastaj, ndodh njëfarë kapërcimi drejt së jashtëzakonshmes.
[...] Duhet të jemi mirënjohës. Kur kjo epope, kaq e populluar, të mbyllet, ne
lexuesve do të na mbetet ajo shije që presim më me ëndje nga proza letrare:
një botë e mbushur plot jetë.
- New Republic
Romanet e saj janë personale, në mënyrë intensive dhe të dhunshme, dhe për
këto arsye duket sikur i joshin lexuesit duke tundur ca çelësa tringëllues, të
vetmit që mund të çelin rrëfime sekrete.
- The New Yorker
Aftësia e Ferrantes për të rikrijuar vetë jetën rrjedh sa nga ritmi i qetë, i shtruar
i penës së saj, po aq edhe nga njerëzit dhe ngjarjet që përshkruan.
- The New York Times Book Review
Ta mbushësh prozën me energjinë e patretur të jetës, ta bësh atë jo thjesht
“ca fjalë mbi një letër”, por një forcë rrënjësore, është një arritje artistike
madhore, më e vlefshme se çdo lloj fjalie e bukur: Ferrante e ka bërë këtë.
- The Financial Times
Shumë më i gjallë dhe tronditës se libri i parë [...] i vetmi libër që më ka bërë
të bërtas me të madhe për diçka që kam lexuar në rrëfimin e tij...
- The Guardian
[...] i kthjellët, i ndershëm, ku ndodhitë, ndodhitë e zakonshme të jetës, janë
jashtëzakonisht tërheqëse në lexim.
- The Times Literary Supplement
Këta libra kanë gjak, vrasjesh dhe menstruacionesh, si edhe lot dhe djersë.
Burrat përdorin dhunën kundër grave, dhe gratë kundër burrave. Gratë
tradhtohen e tradhtojnë, vetveten dhe të tjerët. Në gjithë shkrimet e Ferrantes
ka edhe shumë seks të egër, shpesh joromantik. Do të ishte e saktë,
megjithëse ndoshta thjeshtëzuese, t'i quaja këta libra feministë. Mjafton të
thuash që sjellin një hulumtim dhe një intensitet të rrallë në letërsinë
bashkëkohore, apo në çfarëdolloj letërsie, të eksplorimit intim, shpesh plot
me detaje të dhimbshme, të përjetimit tërësor të të qenit femër, dhe në
romanet napolitane, të kompleksitetit të thellë të miqësisë femërore.
- The New York Review of Books
Saga është shkruar sipas një gjuhe letrare tradicionale, por është njëkohësisht
e freskët në tërësinë e saj; u jep lexuesve, jo vetëm atë që duan, por diçka më
shumë, diçka që as nuk e dinin se e dëshironin kaq dëshpërimisht. Historia, e
cila shpaloset në 60 vjet rrëfim, është dramatike dhe e vendosur në një botë
jashtëzakonisht të gjallë. Dy vajzat jetojnë në një univers dhune, xhelozie,
trekëndëshash dashurie dhe çrregullimesh politike; ato janë dy personazhe të
paharrueshme sipas traditës së madhe të romanit të shekullit të XIX. E
megjithatë është aftësia e Ferrante-s për të na paraqitur të vërteta përvëluese
që u jep këtyre librave një fuqi të papërmbajtshme....
- The Economist
Librat e Ferrante-s janë kthyer në njëfarë fiksimi letrar, sidomos midis grave,
të cilat ndiejnë në shkrimet e saj një përkim emocional kaq të afërt me
përjetimet e tyre, sa u duket sikur i kanë shkruar vetë.
- The Financial Times
Saga napolitane është një histori klasash, përveçse gjinish; [...] Ferrante ofron
një portret të gjallë e të saktë të asaj që mbetet nga ndjenjat (irracionale) të
pamjaftueshmërisë, të cilat përndjekin njerëzit që ia nisin nga hiçi. Si trillim,
këta libra janë njëkohësisht dhe thellësisht realistë dhe çuditërish intimë.
- The Guardian
Motoja e këtyre librave mund të ishte “Asgjë nga vetja nuk mund të harrohet”:
në botën e Ferrante-s, asnjë personazh nuk i shpëton dot së kaluarës së tij.
- The Guardian
Kur lexoj sagën napolitane, kuptoj që nuk dua të ndaloj kurrë. Bezdisem nga
çdolloj pengese (puna, të njohurit që më përshëndesin në metro) që kërcënon
të më ndajë nga librat. Mbaj zi për ndarjet (edhe një vit pritje për romanin e
ardhshëm, si do t’ia bëj?). Një dëshirë e pangopur më shtyn për të vazhduar.
- The New Yorker
Ferrante shkruan me ngut të egër, intim, një lloj kremtimi i zemërimit.
Ferrante është tmerrësisht e zonja me zemërimin, një lloj shumë specifik
tërbimi që ushqehet nga gratë, të cilave shpesh nuk u lejohet ta shprehin.
Ndodh të zemërohemi për shkak të pozitës në të cilën ndodhemi, qoftë si
bashkëshorte, bija, nëna apo mikesha, dhe unë nuk arrij të gjej asnjë grua tjetër
që ta përshkruajë në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë dhe madhështore këtë lloj
tërbimi, me një qëndrim të patrembur e guximdhënës në kërkim të furisë.
- The San Francisco Chronicle
Autorja
Elena Ferrante është pseudonimi i autores së dhjetë veprave letrare, ndër të
cilat edhe saga napolitane, e konsideruar si kryevepra e saj, nga pikëpamja e
kritikës letrare, por edhe falë suksesit të jashtëzakonshme me lexuesit. Emri i
vërtetë i autores mbetet ende zyrtarisht i pakonfirmuar.
Në 2011 u botua kapitulli i parë i sagës napolitane, “Mikesha gjeniale” (i
botuar në shqip në nëntor 2016), i ndjekur në 2012 nga libri i dytë, “Mbiemri
i ri” (i sapobotuar në shqip), në 2013 nga i treti, “Storia di chi fugge e chi
resta”, dhe në 2014, nga libri i katërt dhe i fundit, “Storia della bambina
perduta”.
Fragmente nga libri
1)
Mësuesja kishte ndryshuar pamje, zë, gjithçka, përveç syve dhe tonit të ashpër,
njëlloj si atëherë kur i drejtonte një pyetje nga katedra. Atëherë edhe ajo tregoi
se kishte ndryshuar, iu përgjigj pa takt dhe tërë agresivitet:
̶ Titullohet Uliksi.
̶ Flet për Odisenë?
̶ Jo, flet sesa e rëndomtë është jeta e sotme. ... Thotë që e kemi kokën plot
me marrëzi. Që jemi mish, gjak dhe kocka. Që njerëzit njëlloj janë. Që duam
vetëm të hamë, të pimë, të pallohemi.
Mësuesja e qortoi si në shkollë për këtë fjalë të fundit dhe Lila i bëri ballë pa
iu skuqur faqja, qeshi, aq sa plaka u ngrys edhe më shumë, e pyeti si ishte libri.
Ajo i tha se ishte i vështirë dhe nuk i kuptonte të gjitha. ...
̶ Mos lexo libra që nuk i kupton, të bën keq.
̶ Ka plot gjëra që të bëjnë keq.
2)
I vetmi organizëm gruaje që kisha studiuar me shqetësim përherë në rritje
ishte ai rrangallë e shqepues i sime mëje, dhe vetëm ai imazh më cyste, më
kërcënonte, më trembte sa herë i imponohej befas timit. Kurse tani m’u
shfaqën fare kthjellët nënat e familjeve të lagjes. Ishin nervoze, ishin
qejfpaprishura. Heshtnin buzështrënguara e supekërrusura, ose u çirreshin me
sharje të rënda bijve që u hanin shpirtin. Hiqeshin zvarrë eshkë të thata, sy e
faqe zgavruara, ose më vithet e gjera, noçkat e këmbëve të buhavitura, gjokset
e rënda, torbat e pazarit, vocërrakët që u vareshin pas fundeve dhe që u
kërkonin t’i merrnin hopa. Dhe, Zot i madh, ishin vetëm dhjetë a njëzet vjet
më të mëdha se unë. E megjithatë, dukeshin që u qenë bjerrë tiparet femërore,
aq të çmuara për ne vajzat dhe që aq fort i spikatnim me veshje e tualet. Ishin
ngrënë nga trupi i bashkëshortëve, etërve, vëllezërve, të cilëve përfundonin
t’u ngjasonin përherë e më shumë, nga mundimet apo trokitja e pleqërisë,
sëmundjes. Kur zinte fill vallë ai shndërrim? Me punët e shtëpisë? Me barrën?
Me dajakun?
3)
... në botë s’kishte asgjë për të fituar, që jeta e saj ishte plot aventura
gjithfarëshe dhe kuturisëse po aq sa e imja, që koha thjesht rridhte në punë të
vet, dhe ishte këndshëm të shiheshim hera-herës për të ndier tingullin e çartur
të trurit të njërës të kumbonte brenda tingullit të çartur të trurit të tjetrës
Titulli:Mbiemri i ri
Autori:Elena Ferrante
Botuesi:PEGI
PërkthyesiAgim Doksani
Faqe:490
Botuar me:2017
Pesha:0.55 Kg