Udhëkryqe shqiptaro-gjermane Shihe të zmadhuar

UDHËKRYQE SHQIPTARO-GJERMANE

Autori: Paskal Milo

Botuesi: TOENA

Faqe: 400

Viti i botimit: 2017

Ideja për të shkruar këtë libër nuk ka qenë e imja. Thjesht për shkak të angazhimeve e projekteve të tjera e të njohura, që presin të përfundohen. Shtysën e dhanë kolegë gjermanë nga Universiteti i Lirë i Berlinit me projektpropozimin e tyre për të botuar me bashkautorësi një libër në gjuhën gjermane për marrëdhëniet shqiptaro-gjermane nga Lufta e Parë Botërore deri më sot. 


2 000 L



Libri mund të porositet nga çdo vend i botës. Transporti në Shqipëri është falas, përsa i përket vendeve të tjera, vlera e transportit ndryshon në vartësi të vendit. Vlerën e saktë të transportit e mësoni në momentin që mbyllni porosinë.

Përshkrimi

Detajet

E veçanta e këtij libri që është në proces qëndron se nuk do të jetë një libër unik, por me dy qasje, me dy perspektiva të pavarura, njëra shqiptare e tjetra gjermane, mbi të njëjtën temë, por të mbështetur në burimet arkivore dokumentare të secilit vend.
Libri që i paraqitet lexuesit në gjuhën shqipe është një variant i zgjeruar dhe i kompletuar i projektit për botim në gjuhën gjermane për marrëdhëniet shqiptaro-gjermane nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë gjer në vitin që jemi. 
Vitet e fundit në Shqipëri është rritur interesi për studime gjermane e për marrëdhëniet shqiptaro-gjermane. Nëse dikur lexuesit shqiptar i imponohej një letërsi e seleksionuar gjermane, sot pamja është krejt tjetër e shumëdimensionale. Gjuha, letërsia, arti dhe shkenca gjermane janë shumë të pranishme në Shqipëri, studiohen në shkolla e në universitete, në institucione të profilizuara e nga organizata joqeveritare. Çdo përkthim për Gjermaninë ose botim për të në gjuhën shqipe shton përditë e më shumë fondin e kulturës gjermane në Shqipëri.

Etja shqiptare për të mësuar më shumë për Gjermaninë, për kulturën, artin, historinë, ekonominë e politikën gjermane nuk është e rastit. Nuk është më dashuri e pasion i një rrethi të ngushtë njerëzish “Deutsche Kultur”, që për shumë e shumë vite i ndrydhën ndjenjat në vetminë e tyre. Tani ka një liri përzgjedhjeje orientimi arsimor e kulturor. Gjuha dhe kultura gjermane, natyrshëm, janë në progres në praninë e tyre në Shqipëri. Janë gjuha dhe kultura e një kombi të madh e të një shteti të fuqishëm që është lider në Europë e ndër aktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë. Është mishërimi i begatisë, i mirëqenies, i lirive e të drejtave njerëzore, por edhe i mikpritjes, me gjithë kostot që ka, i njerëzve të përndjekur e të rrezikuar në vatrat e përgjakura jashtë Europës, që shpëtimin e kërkojnë e shpresojnë ta gjejnë në Gjermani. Në mes tyre, për arsye krejt të tjera, me dhjetëra mijëra shqiptarë e kanë bërë Gjermaninë atdheun e tyre të dytë.


Historia e marrëdhënieve gjermano-shqiptare nuk ka qenë një vijë lineare në ngjitje. Ajo ka pasur thyerjet dhe ulje-ngritjet e saj. Prandaj, e jo pa qëllim, librit i është vënë për titull fjala “udhëkryqe”. Historia ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e njerëzve për krimet e përgjakshme të nazizmit. Por shqiptarët nuk kanë mbetur peng i së kaluarës. Brezat gjermanë të Pasluftës së Dytë Botërore kanë kërkuar ndjesë për fatkeqësitë e krimet që bënë nazistët kundër popujve të tjerë, përfshirë këtu edhe ndaj shqiptarëve. Lufta ka qenë një udhëkryq që i vuri shqiptarët e gjermanët kundër njëri-tjetrit. Por një i tillë ka qenë edhe periudha e Luftës së Ftohtë, ku RFGJ-ja e Shqipëria u ndodhën në dy botë të ndryshme politike në kundërshtim të plotë me njëra-tjetrën.
Në kuptimin etimologjik, fjala “udhëkryq” është sa sinonim i dilemës së orientimit, i përplasjes, por edhe i kryqëzimit të fateve e i pikës së takimit për të nisur një rrugë të re e të përbashkët drejt së ardhmes. Shqipëria, sot nuk ka dilema orientimi. Ka mbi çerek shekulli që shqiptarët e kanë gjetur rrugën që i çon në Europën e Bashkuar. Dhe këtu ata kanë mbështetjen e ndihmën e çmuar të Gjermanisë e të gjermanëve, ashtu si edhe të shumë vendeve të tjera mike, anëtare të Bashkimit Europian.

Libri pretendon të sjellë për herë të parë një histori të plotë të marrëdhënieve shqiptaro-gjermane që në gjurmët e tyre të para e deri sot. Sprova të tjera të pjesshme, për tema e periudha të veçanta janë ndërmarrë nga studiues gjermanë e shqiptarë dhe ato janë çmuar për vlerat që kanë e për kontributet që kanë sjellë. Por lexuesit në këtë libër i ofrohen fakte e këndvështrime të reja për mjaft ngjarje e aktorë të historisë, nganjëherë edhe intriguese e gati të pabesueshme. Libri është një paraqitje objektive e fakteve e që tenton një analizë të drejtpeshuar shkencore të tyre. Ndoshta jo për të gjithë mund të përfaqësojë një model objektiviteti edhe për shkak të kohështrirjes së gjatë të historishkruarjes së marrëdhënieve shqiptaro-gjermane deri në ditët tona. Historianët nuk janë njerëz prej dylli. Edhe ata jetojnë kohën e tyre. 


Gjithçka që është shkruar në gjashtë kapitujt e këtij libri ka një mbështetje të madhe dokumentare nga arkivat shqiptare e më pak nga ato gjermane e të tjera. Dokumentet e konsultuara në Arkivin e MPJ-së për një kohë të gjatë përbëjnë lëndën kryesore të historishkruarjes e pa të cilat ajo nuk do të ishte e mundur. Gjej rastin të falënderoj edhe një herë drejtuesen e këtij Arkivi, njëherazi edhe kolegen time, Pranvera Dibra që së bashku me ekipin e saj po u qëndrojnë në krye sfidave për të përsosur punën, për të ruajtur dhe nxjerrë në pah vlerat që fshehin thesaret dokumentare diplomatike.


Arkivat janë shtëpia e historianëve. Dhe nuk ka si të mos jetë i tillë Arkivi Qendror Shtetëror, që edhe për këtë libër ofroi, si gjithnjë, shërbim cilësor. Lënda dokumentare e Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e shfrytëzuar, është një nga risitë e këtij libri. Duke falënderuar punonjësit e tij për përkushtimin, ndërgjegjja prej historiani më shtyn që të ngre zërin për kushtet tejet të mjerueshme në të cilat funksionon ky institucion kaq i rëndësishëm e i veçantë i shtetit.


Mirënjohja e veçantë, si gjithnjë, shkon për Bibliotekën Kombëtare, pasuritë e të cilës kurdoherë janë servirur me përkushtim e kompetencë. E ndiej për detyrë që t’i adresoj falënderime të ngrohta znj. Etleva Domi, që më ka ofruar vazhdimisht konsulencën e saj bujare për t’u orientuar në fondin bibliotekar të specializuar për temën. Dëshiroj, gjithashtu, të vlerësoj kontributin e bashkëpunëtorit tim Skënder Nazaj në përgatitjen teknike të librit. Dhe po kështu të ndaj kënaqësinë, si përherë, me redaksinë e Botimeve Toena për përgatitjen cilësore të botimit të librit.
Shpresoj që libri të gjejë lexues dhe kritikë të vëmendshëm. Në të dyja rastet do të ndihem i respektuar, sepse për çdo historian vlera e librit matet me kënaqësinë që u jep njerëzve, por edhe për ngacmimet që provokon për t’u thelluar në debate të dobishme shkencore e qytetare.

Titulli:Udhëkryqe shqiptaro-gjermane
Autori:Paskal Milo
Botuesi:TOENA
Faqe:400
Botuar me:2017
Pesha:0.52 Kg