Jepini “Paqes” një shans…

Vera është në prag dhe, mbase, më në fund, ka ardhur koha t’i jepet një shans romanit që prej vitesh rri në raft, atij që shpesh e merr në dorë dhe, me të shfletuar faqen e parë, e vendos sërish në vend.
Secili nga ne ka nga një libër të tillë, që për arsye nga më të ndryshmet nuk arrin ta lexojë kurrë. Kjo nuk do të thotë se libri është i dobët, përkundrazi, por leximi është një proces përjetimi tërësisht individual.

Një nga kryeveprat e letërsisë botërore, që gjendet pothuajse në çdo listë të kritikëve për librat më të mirë në historinë e letërsisë, çuditërisht, shumë njerëz nuk arrijnë ta kalojnë përtej kopertinës.
Bëhet fjalë për romanin e Tolstoit “Lufta dhe paqja”. Përveçse nga shumë cilësohet si romani më i madh i shkruar ndonjëherë, “Lufta dhe paqja” gjatë viteve ka njohur edhe sukses në shitje. Ka shumë arsye pse vepra më e njohur e Tolstoit vazhdon të frymëzojë lexues të të gjithë brezave, ndaj, për ju që nuk e keni lexuar ende, ia vlen t’i jepni një shans.
“Lufta dhe paqja” fare mirë mund të cilësohet si një roman i pakohë, që do të thotë se vazhdon të jetë aktual.
Nëse jeni të apasionuar pas historinë, nuk ka dyshim se do ta vlerësoni këtë roman. Në faqet e librit, Tolstoi jep detaje shpesh të harruara edhe nga vetë historianët.
Është interesant fakti që shumë ushtarë sovjetikë, të cilëve iu dhanë kopje të librit gjatë Luftës së Dytë Botërore, pretendonin se ndikoheshin më shumë nga përshkrimi i luftës nga Tolstoi sesa nga betejat që zhvilloheshin para syve të tyre.

Romani i Tolstoit pa dyshim do t’ju ndihmojë të kuptoni Rusinë e ditëve të sotme. Nëse doni të kuptoni arsyet pse rusët kanë një marrëdhënie kaq të komplikuar me Perëndimin, lexoni “Lufta dhe paqja”. Përshkrimi në roman i dështimit të Napoleonit për të pushtuar Rusinë në vitin 1812 u përdor vazhdimisht nga liderët e mëpasshëm rusë për të ilustruar madhështinë e kombit rus, por njëkohësisht edhe rrezikun e cënimit të tij nga forca të jashtme. Presidenti aktual rus, Vladimir Putin, po i mëshon pikërisht kësaj ideje kur mundohet të bindë popullin e tij se janë nën kërcënimin e Perëndimit, madje shkon më tej duke pretenduar se kriza në Ukrainë është pasojë e ndërhyrjes perëndimore.
Por në romanin “Lufta dhe paqja” gjejmë edhe mesazhin e humanizmit universal. Tolstoi ofron modelin e një patriotizmi të shkëputur nga nacionalizmi.

“Lufta dhe paqja” nuk është thjesht roman, është një lloj guide e të jetuarit. Më shumë sesa përgjigjet e pyetjeve mbi jetën, Tolstoi ofron
një lloj qëndrimi ndaj mënyrës së të jetuarit.
Ky libër revolucionoi romanin modern, duke ndërfutur eksperiencën njerëzore më shumë sesa çdo libër tjetër.

Gjatë leximit të këtij libri do të keni mundësi të njihni karaktere të ndryshme në plot 600 personazhe. Secili prej tyre, edhe ai më episodiku, ka vendin të tij të padiskutueshëm në historinë e librit. Në “Lufta dhe paqja” nuk ka personazhe të mirë ose të këqij, çka i bën realë. Edhe Napoleoni vetë, që mund të konsiderohet “i keqi” i romanit, është një personazh tejet interesant.
Një libër mbi luftën, i mbushur me përshkrime betejash dhe dhune njerëzore, ka gjithashtu disa nga momentet më të fuqishme, ku shfaqen grimca lumturie.

Bota që përshkruan Tolstoi në këtë roman është një vend misterioz, ku gjërat jo gjithmonë janë ashtu siç duken.

Tragjedia e sotme shpesh shtron rrugën për triumfin e nesërm – është ky mesazhi që frymëzoi Nelson Mandelën, i cili e ka cilësuar “Lufta dhe paqja” romanin e tij të preferuar.

Përgatiti: Elona Qose