“40 minuta më vonë”, apo 100 vjet më pas?

Disa njerëz lexojmë më ngadalë se të tjerët. Libri më i ri i Bibliotekës Publike të San Franciskos, SHBA, është në fakt një nga më të vjetrit: më shumë se një shekull.
Libri u tërhoq nga biblioteka 100 vjet më parë nga një zonjë e quajtur Phoebe Marsh Dickenson Ëebb. Libri, një përmbledhje me tregime, në mënyrë ironike titullohet “40 minuta më vonë”. Veçse librit iu deshën shumë më tepër se 40 minuta për t’u kthyer në vendin që i takonte.
Stërmbesa e Dickenson tha se stërgjyshja e saj ishte 83 vjeçe kur e mori librin hua 100 vjet më parë dhe vdiq pa pasur mundësi ta kthente mbrapsht.
Një nga të afërmit e zonjës e gjeti librin mes një grumbulli gjerash personale të së ndjerës që në vitin 1996. Ai e mbajti për ca kohë, madje edhe e lexoi.
Drejtuesit e bibliotekës, të lumtur për kthimin e librit pas 100 vjetësh, nuk e gjobitën familjen. Sipas rregullave të bibliotekës, gjoba për çdo ditë vonesë, përtej afatit të përcaktuar për kthimin e librave, është 10 cent. Kështu gjoba mund të ishte e majme për pasardhësit e zonjës 83-vjeçare, që nuk i ishte shuar dashuria për leximin edhe në moshë të rënë.