Kur nga gafat e politikës përfiton letërsia

Pak ditë pas inaugurimit të presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që pati një audiencë të ulët në krahasim me ceremonitë paraardhëse, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, në një konferencë për shtyp – ku nuk pranoi t’i përgjigjej asnjë pyetjeje – akuzoi median për raportimin e fakteve jo të vërteta, pasi sipas tij audienca për ceremoninë e inaugurimit të presidentit Donald Trump kishte qenë më e madhja ndonjëherë.
Sigurisht që deklaratat e zëdhënësit u komentuan gjatë, duke qenë se me pamje dhe shifra zyrtare u pa qartë se në fakt edhe protesta e grave e një dite më pas mblodhi më shumë njerëz sesa vetë ceremonia.

Si për të justifikuar deklaratat e zëdhënësit dhe sigurisht për t’i mbështetur ato, këshilltarja e presidentit Trump, Kellyanne Conway, në një intervistë për rrjetin NBC, përdori termin “fakte alternative” për raportimet dhe pretendimet e palëve për këtë çështje. Nuk zgjati shumë dhe “fakte alternative” u bë shprehja më e përdorur në rrjetet sociale, ku imagjinata e njerëzve nuk njeh kufi dhe referencat për faktet alternative ishin nga më qesharaket te më të çuditshmet. Por nuk mbaron me kaq.

E dimë të gjithë rëndësinë e reklamës. Çdo performancë muzikore apo film i shfaqur gjerësisht, madje edhe skandalet personale të artistëve, shoqërohen gjithmonë me rritje të shitjeve të produkteve të tyre.
Në rastin e administratës Trump, produkti nuk është as amerikan.

Ndërsa këshilltarja e Trump-it vazhdonte intervistën dhe në rrjetet sociale kishte nisur gallata, një gazetare bëri lidhjen mes “fakteve alternative” dhe romanit të njohur të George Orwell “1984”. Prej disa ditësh, shitjet e romanit kanë pasur një rritje që nuk ishte vënë re prej vitesh. Mbrëmë “1984” ishte libri i parë më i shitur në Amazon.
Në këtë roman, autori tregon historinë e një shoqërie distopike, ku faktet shtrembërohen dhe shtypen, një shoqërie të shtypur e të privuar nga çdo formë e mendimit të pavarur. Nuk ishin të paktë ata që e krahasuan realitetin politik amerikan me romanin e Orwell. .

E. Qose