Ana e errët e qenies njerëzore

Mund të shohësh përditë dikë që buzëqesh gjatë gjithë kohës dhe të përgjigjet me humor, por ti nuk ke idenë më të vogël se çfarë mban përbrenda ai, çfarë ndjen dhe barrën që mund të ketë mbi supe. Njerëzit janë kaq paragjykues dhe, ç’është më e keqja, na duhet të përballemi përditë me njerëz të tillë. E vetmja mënyrë është që të hiqesh sikur çdo gjë shkon vaj për ty, ndryshe do të bëjnë ç’është e mundur të zhbirilojnë në mendjen dhe ndjenjat e tua për të mësuar më shumë. Dhe jo sepse u intereson shumë, thjesht është material për të shtyrë kohën.

Është e trishtueshme, por kështu funksionon natyra njerëzore. Personalisht, nuk më pëlqen t’u jap shpjegime njerëzve me të cilët punoj; fakti që na ka rënë për hise të punojmë bashkë nuk na bën shokë të ngushtë. Unë e di vetë si të përballem me problemet e mia. Si person kam një perspektivë timen mbi jetën. Unë jam i ndryshëm nga të tjetër dhe si rrjedhojë i shoh gjërat ndryshe dhe ua gjej zgjidhjen sipas mënyrës time. Mua më pëlqen të rri në shtëpi, të shikoj yjet dhe të flas me vete pa u shqetësuar nga zhurmat e jashtme. Kjo është mënyra ime, një lloj vetëterapie, që për mua është shumë efikase.

Provojeni! Injoroni negativitetin dhe përqendrohuni te vetja, te problemet tuaja. Mund të mos ua gjeni zgjidhjen menjëherë, por do të ndiheni shumë më mirë.

Nuk është çmenduri të flasësh me vete, përkundrazi është mënyra për të folur me Zotin.

Këshillë: Kur njerëz kureshtarë përpiqen me ngulm të mësojnë diçka mbi ju duke ju bërë njëqind pyetje, mos ua jepni kënaqësinë e përgjigjes, thjesht buzëqeshni dhe largohuni; lërini të imagjinojnë çfarë të duan. Në fund të ditës, ata gjithsesi do të flasin për ju.

 Paolo Coelho