Si të lexosh libra pa shkatërruar portofolin

Të gjithëve na ka ndodhur të paktën një herë të hyjmë në librari, të shikojmë me radhë të gjithë librat – e rinj ose jo – që zbukurojnë raftet dhe pastaj të dëshpëruar të vendosim nëse paratë e fundit t’i shpenzojmë për atë trillerin për të cilin të gjithë po flasin apo për të mbushur frigoriferin. Çdo ditë shtëpitë botuese nxjerrin libra të rinj dhe në shumë raste, ajo shprehja e famshme “sa shumë libra, sa pak kohë” mund të shndërrohet fare mirë në sa shumë libra, sa pak lekë”.

Megjithatë, ka disa mënyra se si të mos heqësh dorë nga pasioni për të blerë libra dhe në të njëjtën kohë të mos vdeshësh urie.

 

Kërkoni libra me ulje çmimesh  

Ndonjëherë pret me kaq padurim publikimin e një libri sa të presësh për një kohë më të vonë për ulje çmimesh duket e pamundur. Megjithatë, mund t’i përdorni uljet për libra të tjerë. Të gjitha platformat online për shitjen e librave herë pas here bëjnë ulje për libra të veçantë. Momentalisht, në botimeshqip.com, përveç disa librave që i gjeni me ulje, të gjithë ata që morën pjesë në konkursin e shpallur në fillim të muajit, deri në fund të marsit përfitojnë ulje për çdo libër të blerë.

Në mënyrë që të përditësoheni mbi uljet është e rëndësishme të ndiqni në rrjete sociale apo të regjistroheni në këto platforma.

 

Blini libra të përdoruar

Blerja e librave të përdorur mund të duket si zgjidhje, jo zgjedhje. Pra, një kompromis i bërë thjesht dhe vetëm për arsye ekonomike. Por me kalimin e viteve, kam filluar të investoj më shumë të këta libra për arsye të ndryshme. E para, kam gjetur libra të rrallë, të cilët kanë dalë prej kohësh nga qarkullimi.  Për një çmim modest kam blerë libra që nuk dihet nëse do të ribotohen më.

E dyta, sa më shumë kalojnë vitet dhe sa më shumë lexoj, aq më shumë vlerësoj procesin e krijimit në tërësi. Me këtë dua të them që më parë thjesht lexoja sepse më pëlqenin historitë (ose edhe me detyrim nga shkolla). Tani arrij të vlerësoj veprën si të tërë, mënyrën e të shkruarit, autorin dhe gjendjen e tij në kohën e shkrimit të një vepre të caktuar.  Unë vetë nuk bëj kurrë shënime në libra. Më dukej sikur i dhunoja dhe nuk e kuptoja nevojën e disave për ta bërë një gjë të tillë. Por tani më kuriozojnë këto shënime. Dhe në libra të vjetër gjen plot të tilla. Në një farë mënyre, duke i lexuar ato më duket sikur komunikoj me një lexues tjetër para meje. Është shumë interesante të lexoj se si e përjeton dikush të njëjtën pjesë dhe ta krahasoj me perceptimin tim për të.

Në Tiranë ka plot pika të shitjes së librave të vjetër. Gjithashtu, në botimeqip.com, te librat e veçantë, mijëra libra të përdoruar janë të ndarë në bazë të dekadave kur janë botuar, duke jua bërë edhe më të thjeshtë kërkimin.

 

Shkëmbeni libra

E fundit dhe më e thjeshta. Këmbeni libra me njëri-tjetrin. Disa miq të mi nuk japin libra hua për shkak se shumë nuk ua kanë kthyer në të kaluarën. E kuptoj. Kam qenë disa herë në të njëjtën situatë. Zgjidhni miqtë që e vlerësojnë librin dhe leximin po aq sa ju. Madje me miqtë e ngushtë mund të vendosni çdo muaj të blini libra të ndryshëm dhe t’i shkëmbeni ata.

 

Dhe një këshillë. Nëse keni libra që nuk i doni më, mos i shisni! Jepuani falas njerëzve që nuk kanë mundësitë tuaja!

  1. Qose