Bëhu ylber mbi renë e dikujt – letra të nënave të famshme për bijat e tyre

Në të gjithë botën, 14 maji njihet si dita e nënës. Sot do t’ju sjellim disa nga letrat ë interesante që nëna të njohura ua kanë shkruar fëmijëve të tyre.

Maya Angelou i shkruan vajzës që nuk e pati kurrë.

“Mbase nuk mund të kontrollosh gjithçka që të ndodh, por është në dorën tënde që jeta jote të mos vendoset prej tyre. Mundohu të bëhesh ylber mbi renë e dikujt. Mos u anko! Bëj çdo përpjekje që të ndryshosh gjërat që nuk të pëlqejnë. Nëse nuk mund t’i ndryshosh, ndrysho këndvështrimin për gjërat. Mbase mund të gjesh një zgjidhje alternative.
Sigurohu që të mos vdesësh pa bërë diçka të mirë për njerëzimin.

***

“Varësia nga burrat i bën gratë të parëndësishme”

Gati gjysmë shekulli para se gratë të fitonin të drejtën e votës në Amerikë, aktivistja për të drejtat e grave Elizabeth Cady Stanton i shkroi vajzës së saj 20-vjeçare, në atë kohë studente.

“E dashura ime, më gëzon të di që je e lumtur. Mëso shumë, puno shumë, aftësohu që të bëhesh mësuese e mirë, në mënyrë që të kesh të ardhurat e tua dhe të mos varesh nga asnjë burrë edhe për frymën që merr. Varësia ndaj burrave zakonisht i bën gratë të dobëta dhe të parëndësishme”.

*** 

“Rinia është koha e arritjeve, mosha e mesme është koha e aftësimit dhe pleqëria është koha e shpenzimeve”

Poetja e parë amerikane, Anne Bradstreet, ishte gjithashtu amerikania e parë në histori që botoi një libër me poezi, edhe pse pa dëshirën e saj, në vitin 1650.  Nënë e tetë fëmijëve, në vitin 1664 ajo i dërgoi djalit të saj të dytë, Simon, një përmbledhje me ato që i quajti si “Meditime”.

“Shumë vetë mund të flasin keq, por pak vetë mund të bëjnë mirë. Ne jemi nxënës më të mirë në teori sesa në praktikë. Mundohu të jesh efikas në të dyja.

Rinia është koha e arritjeve, mosha e mesme është koha e aftësimit dhe pleqëria është koha e shpenzimeve. Një rini e shkujdesur zakonisht pasohet nga një moshë e mesme injorante dhe si pasojë nga një pleqëri duarbosh”.

Perktheu: Elona Qose