Dolli për miqësinë njëstinëshe!

Nën dritën e mugët që thyhet në gotën e mbushur me dëshpërim, sonte, e lektisur, ti feston mes miqve të përbashkët. Këtë natë qershori, trokëllima e kremtes po ta vjedh edhe një vit nga shkëlqimi i rinisë, ndërsa në krah të mungon një mik fytyrëçelur, të cilin, me dashje, në një ditë vere, e përzgjodhe për bashkudhëtar në lundrën e vetmisë, e pushtuar nga dëshira për ta ruajtur ekuilibrin e moteve.

Sonte, një vit më e pjekur, duke mbajtur inat, do të përpiqesh ta shkundësh plogështinë që ta ka mbërthyer trupin. Për herë të parë që nga ajo kohë, e veshur ndoshta sërish me xhaketën e gjelbër, do të kesh nevojë për shtrëngim duarsh nën tavolinë, për lumturi pa fund dhe dashuri pa hile. Do të ngresh dolli për lindjen edhe të një gjysmërrudhe diku në lëkurën e butë, teksa, gjithnjë e mëritur, do ta kujtosh lutjen fisnike të para një viti për të qenë bashkë në një festë si kjo dhe për ta ndjekur pa interesim një ndeshje futbolli.

Në këtë natë të zbrazët, me plot miq, zemra do të sëmbohet nga një melodi e vjetër, ndërsa diku nën një kulm tjetër, një shpirt, me shkas, do t`i lejojë vetes të ngushëllohet me kujtime, të përshtatura do t’i quaje ti, duke sjellë ndër mend gjëra të thëna e të pathëna, të pabëra, ëndrra, premtime…

Sonte, e arratisur nga realiteti amorf, në këtë ambient gjysmë të errët, do ta ndjesh mungesën e vargjeve të paemërtuara. Do ta fshish ballin me barbull dhe do të ngrihesh pa zhurmë nga tavolina, për ta luftuar dehjen në ajrin e freskët. Do ta shtrëngosh gjoksin me duar, do të ndezësh një cigare filtërbardhë, me gishtin e madh do të gërryesh llakun nga thonjtë dhe do të kridhesh me mendje në secilën ditë të stinës së thatë.

Në një muaj si ky, do t’i vizitosh ato vende ku zuri fill tundimi, ku u përzien palogjikisht dashuria, frika e ngashërimi. Nga larg do ta thërrasësh një emër duke i zgjatur zanoren e fundit. Do ta mbushësh përkohësisht vetminë me dikë që do të ta respektojë lutjen e supozuar, për të mos folur për të mëparshmen e as për të mëvonshmen, e bindur se ti je e destinuar për ta jetuar veç të tashmen. Do ta çmosh për apoteozat poetike dhe për kujdesin e tepruar. Një tjetri do t’i blesh një libër dhuratë për t’i lënë përjetë në raft një titull që simbolizon errësirën.

Në një mëngjes korriku, kur gjurmë të bardha avionësh të kryqëzohen në qiellin blu, do të ajgëtosh, pa mua, përplasjen e shkulmave në shkëmbinj çdo 4-5 sekonda, ndërsa në mesditë, kur deti të bjerë në bunacë, nga një mol i braktisur do ta përshëndesësh një anije velëbardhë, duke e lutur që ta kthejë udhëtarin e rrëmbyer.

Buzëmbrëmjeve të gushtit, shpirtzhuritur, do të kundrosh fluturimin ultas të pulëbardhave pendëshpeshta që i zënë pamjen diellit teksa ai i dorëzohet horizontit. Natën vonë, kur rrezet e hënës së larë të rrëshqasin në syprinën e fjetur të detit, ndonjë copë meteori mund t’i shpëtojë qiellit nga dora, por ti s’do ta ndash me mua atë ndjesi.

Sonte, e trazuar nga vitet që po ta kafshojnë moshën, edhe mund të duash ta kthesh miqësinë e gënjeshtërt dhe të provosh të ringjallësh diçka që s’ekziston më. S’të gjykoj për shajnitë, të paktën jo në minutat e fundit të kësaj nate, kur në heshtje do ta presësh një urim të veçantë. Kaq të gjatë!

M.R.