Rëndësia e lutjes

– Paulo Coelho

Një ditë, një burrë priti disa miq të tij, që kishin vendosur t’i bënin një vizitë.
Në bisedë e sipër, njëri prej tyre i tha:
-Do të më interesonte shumë të dija, çfarë ke mësuar gjatë gjithë këtyre viteve?
-Unë jam i moshuar,- ia ktheu burri.
-Plak dhe i mençur, – ia priti tjetri. – Gjithë këto vite të kemi parë ndërsa lutesh. Për çfarë i flet Zotit. Cilat janë gjërat më të rëndësishme për të cilat duhet të lutemi?
Burri buzëqeshi.
-Në fillim kisha entuziazmin e rinisë, që beson tek e pamundura. Ato kohë, përulesha para Zotit për t’i kërkuar të më jepte forcën për të ndryshuar racën njerëzore. Gradualisht, kuptova se një gjë e tillë ishte përtej mundësive të mia, kështu që nisa t’i lutesha Zotit të ndryshonte botën rreth meje.
– Sa për këtë, që ta dish, kjo pjesë e lutjes është plotësuar disi, – i thotë njëri ndër miqtë me buzë në gaz. – Me shembullin tënd, ke ndihmuar shumë prej nesh.
– Po, e vërtetë. Megjithatë e ndieja se nuk e kisha gjetur lutjen perfekte. Tani, që jam drejt fundit të rrugëtimit tim tokësor, e kam kuptuar se për çfarë duhej të lutesha që në fillim të jetës.
– Për çfarë? – e pyesin miqtë.
– Për mundësinë për të ndryshuar veten.

Përktheu: E.Qose