Dyshet më të famshme në letërsi

Në letërsi, ashtu sikurse edhe në jetë, ndodh që dy personazhe të jenë aq plotësues për njëri-tjetrin sa të bëhen të pandashëm.

Për t’ju futur shpejt në temë, do ta kuptonit dot Tomin pa Xherrin? Kurrë! Po kështu në letërsi, disa personazhe nuk mund të funksionojnë dot të vetëm. Mund të jenë miq, kolegë apo edhe të dashur, fakt është që publiku i do më shumë bashkë sesa veç e veç,

Don Kishoti dhe Sanço Panço

Padyshim dyshja më e njohur në letërsi. Të pandarë nga njëri- tjetri,  ata i ranë Spanjës përqark në një udhëtim plot aventura.

Sherlok Holms dhe Xhon Uatson

Personazhet e mirënjohura të Sir Arthur Conan Doyle, dedektivi Holms dhe doktori Uatson përbëjnë një nga dyshet më të famshme të letërsisë. Të dy plotësojnë njëri-tjetrin në zgjidhjen e çështjeve të ndryshme dhe duket sikur nuk mund të ekzistojnë në dimensione të tjera veç e veç. Dhe në fakt, jemi kaq të mësuar me dyshen Holms-Uatson sa nuk i mendojmë dot si personazhe më vete. Një Holms pa Uatson nuk do të ishte aq interesant.

 

Elizabet Benet dhe zoti Darsi

Pas Romeos dhe Xhuljetës duhet të jetë çifti më i njohur në letërsi. Por çfarë i bën interesantë këto personazhe nuk është aq shumë ndjenja e dashurisë, që sigurisht i lidh më në fund, por karakteristikat e secilit. Ata janë krejt të kundërt, por plotësojnë njëri-tjetrin. Duke lënë mënjanë krenarinë dhe paragjykimet për ndryshimet klasore, ata kuptojnë se nuk mund të ketë Elizabet pa zotin Darsi.

Herri Poter e Ron Uisli

Shumë mirë mund të ishte Herri, Ron dhe Hermione, por meqë ky shkrim bën fjalë për dyshet, këtë radhë Hermiones i duhet të tërhiqet. Një shembull i një miqësie që nuk njeh kufij e pengesa, një dyshe miqsh perfektë, me një marrëdhënie me ulje e ngritje si të gjitha miqësitë e mira.

 

Frodo dhe Sem

Nga këto dy personazhe ka dalë shprehja: “Unë jam Semi për Frodon e tij”. Çka nënkupton një dyshe të pandarë, një studim perfekt mbi dedikimin. Frodo nuk do ta përfundonte dot kurrë udhëtimin e tij pa Semin. Kjo është e sigurt.

E. Qose