skip to Main Content

Problematiciteti shqiptar

Marrë nga shkrimi i mëposhtëm:
“… Që të mundim të kemi një farë shprese suksesi në luftën e jetës, mbetet vetëm një zgjidhje. Ndërhyrja e një fuqie superfizike! Një mrekulli! Miracle! Eugene Lantilhac 1895! Jemi në 1935!…”

Hahahaha – tre pikat “…” vazhdojne me: jemi ne 2013

Problematiciteti shqiptar

Branko MERXHANI, Botuar më 1935

Problemi ose Problemat iciteti shqiptar… – Kemi trashëguar, thonë, një të shkuar kaotike; po kalojmë, thonë, një të tanishme kaotike: e ardhmja paraqitet si një zero matematike: “Shiko të shpëtosh kokën tënde!” – Këtë këngë vajtuese të këndojnë sot Pleq e të Rinj, dogmatikë e liberalë. Të ditur, të paditur, të gjithë njerëzit këtu brenda, i ka zënë një dobësi mistike, një lodhje morale dhe materiale. Dhe si një rrjedhje e natyrshme e gjithë kësaj gjendje, një egoizëm vetjak, materialist, i lidhur ngusht me indiferencën, mërinë, ligësinë, dinakërinë më të përçmuar tejpërtej!. – Simptoma më tipike dhe më klasike të dekompozimit. Simptoma të dekadencës, që paraqitin popujt në mbrëmjen e historisë së tyre…
Ku gjendemi?
* * *
Le t’i lëmë për një çast të qetë në këndin e lumtur të venerimit e të lutjes së tyre të gjithë ata njerëz të mirë që qarku i mendimeve të tyre vjen gjithë rreth e rrotull boshtit të Fesë.
Këtu n’anën tonë ka një tok njerëz të një kategorie tjetër, mendonjës të lirë, që mbështeten në shkencat pozitive dhe që nuk u japin asnjë rëndësi metafizike fenomeneve shoqërore. Janë të Rinjtë Intelektualë. Një prej tyre, djalë me karakter të ndritur dhe me përgatitje kulturale të mbaruar, përkrahës i nxehtë i teorive shkencore të Determinizmit dhe Evolucionit, më shkruan:
“… Jo! Atë mbrëma isha i sinqertë. Dhe siç e di fort mirë, përpiqem të jem gjithnjë i sinqertë. Të thashë atë që mendoj”.
“… Nuk shoh shesh përpjekjeje shoqërore në konditat historike që jemi. Çdo mendim është i kotë në këtë drejtim”.
“… S’ka fenomen shoqëror absolut dhe abstrakt. Çdo fenomen është rrjedhë faktorësh të ndryshëm. Dhe sapo shfaqet, bëhet menjëherë shkak për të lindur edhe një tok fenomene të tjera. Individi, gjer në një pikë, mund të ushtrojë një arbitër të lirë. Po Shoqëria shtrohet nën disa rregulla të caktuara dhe harmonike. Teoria e Evolucionit zbatohet në të gjitha llojet organike, kaq në llojet biologjike, sa edhe në llojet sociologjike”.
“… Nuk kemi asnjë bazë shoqërore si një të dhënë (donne) historike. Dhe grada e vitalitetit tonë shoqëror nuk paraqet asnje vlerë sintetike. Të gjitha elementet tanë shoqërore janë dekompozonjës. Karakteri ynë shoqëror, i prishur, i shkallmuar, i korruptuar pa shërim”.
“…’ Nga të gjitha anët na kanë rrethuar formime kombëtare të forta, popuj me të shkuar, kombe me të ardhme. Ujërat që derdhen nga malet tona kufizore derdhen në një det të huaj. As këtej, as andej, nuk do të na lënë të rrojmë në këto halle. Do të gjejnë mënyrë të na shuajnë nga karta e botës pa na goditur me armë. Kalbësirën e kemi brenda në veten tonë. I ka rrënjët kaq të thella që nuk do t’i gjejmë dot kurrë sado që të gërmojmë. Mbi këto rrënjë qëndrojnë stave shekujt”.
“… Që të mundim të kemi një farë shprese suksesi në luftën e jetës, mbetet vetëm një zgjidhje. Ndërhyrja e një fuqie superfizike! Një mrekulli! Miracle! Eugene Lantilhac 1895! Jemi në 1935!…”
Fenomeni shoqëror është një fenomen fizik dhe bile, le ta them kështu, nënfizik. Burimin e ka brenda në jetë, brenda në baltë. Që nga koha që këndoja Renan-in, nuk besoj më as në “mrekullinë greke” legjendare, që për shumë kohë pati një adhurim të verbër në Perëndim. Bota tjetër arriti në epokën e qytetërimit mekanik e teknik dhe ne kërkojmë akoma të ndërtojmë një “Atdhe” këtë ide të parë të vjetëruar të qytetërimit. Me ndërhyrjen dhe hirin e një fuqie superfizike? S’kam besuar kurrë në një absurditet të tillë”…
* * *
Një klerik, nga ata që besojnë se Perëndia ndau dynja-në dhe xhenet-in midis të krishterëve dhe muhamedanëve, më thoshte një herë në një bisedim:
– Besimi e humbi fuqinë e vet. Ligësia mbretëron kudo. Që nga koha e dërgimit të njeriut shkuan shumë shekuj me radhë dhe çdo gjë fisnike që kish njeriu u prish dhe humbi në fosat-in e kohës. Kudo në dynja ka plot dinsëzë. Shenja të kijametit. Inati dhe mallkimi i Allahut plasi mbi kokat tona. S’na mbetet gjë tjetër veçse të marrim gratë e djemtë edhe të marrim udhën për në Beladi-mubarekë që të shpëtojmë shpirtërat tanë!…”
* * *
Ja dy tipe përfaqësimtare të gjendjes sonë mendore dhe shpirtërore të sotme. Ç’ndryshim ka midis mënyrës shkencore që mendon i riu intelektual, që këndoi vite me radhë në perëndim Renan, Darëin, Marx etj. dhe që di se ç’është Determinizma, edhe mendësisë së varfër të Hoxhës së paditur të një fshati këtu rreth e rrotull, që s’është në gjendje të këndojë asgjë, as edhe librat më të thjeshtë të fesë së tij dhe që mezi mësoi të vijëzojë edhe nënshkrimin e vet?
Unë nuk gjej asnjë ndryshim. Asnjë. Që të dy janë viktima të fatalizmit më të keq. Dy tipe gjiri, të cilët, sado që ecin në udhëra të veçanta dhe shihen me njëri-tjetrin me sy t’egër si armiq, me gjithë këtë, janë miq të ngushtë, shokë, aleatë në mendime dhe në mendësi. Mbase sepse rrjedhin nga një burim dhe rrojnë brenda në kondita shoqërore të një ritmi. Që të dy paralajmërojnë humbjen dhe shkatërrimin. Që të dy vendosin që në krye keq rrojtjen dhe ushqejnë panikun. I pari sepse këndoi shumë shkencë pakuptuar shumë gjëra. I dyti sepse e fali tërë jetën e vet në lutjen te Perëndia pa marrë në dorë asnjë libër, makar dhe fetarë…
Këtu: Nevoja Providenciale e hoxhës ndërroi formë dhe u bë Nevojë Naturale në sytë e shkencëtarit. Një substancë, një konkluzion, një kokë e një mendësi. Errësirë tejpërtej, dëshpërim pa masë, përtim, meskinitet, egoizëm gjer në trup! I pari egoist moral; i dyti egoist material. Fetarin e shtyn premtimi i xhennet-it. Afetarin e shtyn dëshira e mirëqënies. Një sinonim simbolik!
Po! Problemi ose Problematiciteti Shqiptar! Kudo dhe në të gjitha, në çdo hap, në çdo vështrim, cipa e zezë e dëshpërimit. Kur njerëzit, si anëtarë të një Shoqërie, arrijnë në këtë pikë se që të mos mendojnë gjë tjetër veç si të shpëtojë shpirtin njeri edhe si të sigurojë një jetë më të mirë tjetri, pa ndonjë lidhje të brendshme për vendin e tyre, pa ndonjë dozë vetëmohimi, vullneti dhe ideali, ahere kjo shoqëri ndodhet krejt në dekompozim, kjo shoqëri e ka humbur çdo bazë qenieje dhe çdo shpresë jetese, edhe vrapon me çape të shpejta për në buzë të greminës të zhdukjes historike.
Mos jemi të dënuar vallë të shuhemi para se të marim frymën e parë të jetës së lirë?
Jo! Kush mendon kështu, kush e vë që tani në dyshim vitalitetin historik të kombit, mund të jetë njeri i mirë, po është shqiptar i keq. Nuk them se të gjitha punët tona janë të trëndafilta. Po kalojmë ditë kritike. Por ç’bëmë gjer sot që të arrijmë në përfundim se nuk jemi të zotë për asgjë? Ku janë veprat tona që tregojnë gradën e zotësisë sonë për të bërë një “Komb”? Ku janë?.. Më duket se jemi të sëmurë. Të sëmurë jemi nga shpirti e nga mendja. Vetëm një mënyrë shërimi ka: Të zihemi nga Shkenca!
Po! Shkenca! Kjo nuk jep shumë premtime. Po atë që jep, e jep me të vërtetë. Është besnike në fjalët e veta. Ajo vetëm di të shërojë plagët tona mendore. Ështe arma më e mirë për të luftuar Fatalizmën dhe për të injektuar pak kurajo e shpresë në zemrat tona të thyera…