skip to Main Content

Conscientia – Dija është pushtet!

Të ndash dijen, përveçse mision i vështirë, mund të konsiderohet edhe arrogante. E megjithatë, “Conscientia” mundohet të bëjë pikërisht këtë, me përpjekje modeste, por serioze e aspak sipërfaqësore.

Në latinisht, “Conscientia” do të thotë pikërisht të ndash me të tjerët dijen/njohurinë tënde. Një përpjekje për t’u admiruar nga botuesi Ermal Gjinaj, për të hartuar dhe hedhur në treg një produkt ndryshe, jo vetëm për faktin se është një produkt kah erës dixhitale.

“Conscientia” është një revistë dixhitale. Me moton, “Dija është pushtet”, ky botim, në dukje modest, është një projekt unik, me drejtim editorial kah filozofisë, teknologjisë, historisë, etj.

Një përzgjedhje e kujdesshme materialesh, pak ose aspak të njohura në shtypin shqiptar, e bëjnë këtë revistë të domosdoshme në realitetin e tregut të tejmbushur me botime politike, kronike e sportive. Një përpjekje për të shkuar përtej lajmeve të përditshme, atyre që në epokën e sotme dixhitale e kanë të lehtë të vërshojnë nga të katër anët dhe që kufizohen vetëm te pyetjet “çfarë, ku, si e sa”. Më shumë se të gjitha këto, janë përgjigjet e përse-ve në qendër të projektit të “Conscientia”-s.

Në numrin e parë të këtij botimi do të mund të lexoni një analizë interesante të qeverisjes së papatit nga dy papët e fundit. Nisur nga ngjarja që tronditi botën katolike këtë muaj, është e drejtë të ngrihen një sërë pyetjesh. Papa Benedikti XIV nuk e pati kurrë popullaritetin e paraardhësit të tij, Papa Vojtilës, e megjithatë, me vendimin e tij të fundit për t’u dorëhequr kur është i vetëdijshëm se nuk mund t’i jetë më ndihmë krishtërimit në krye të tij, Benedikti tregoi se, përveçse papë, është njeri me të drejtën për të ushtruar vullnetin dhe arsyen e tij.

Zhvillimi dixhital, një instrument i domosdoshëm për të siguruar që ngjarjet të ecin në kursin e duhur. Të paktën kështu mendon Christofer Kullenberg, i cili aftësitë e tij i vë në ndihmë të aktivistëve në të gjithë botën që të shmangin censurën e regjimeve dhe qeverive.

“Përpiqem të përkthej në politikë një praktikë që ekziston tashmë” – thotë Kullenberg. Interneti nuk është në vetvete një in¬strument demokratik, dhe Kullenberg është i pari që e pranon. Pavarësisht kësaj, është i bindur që progresi i teknologjisë është një shans me potencial të pakufizuar. Në sytë e tij, interneti është diçka e ngjashme me zjarrin e Prometeut (titani i mito¬logjisë greke që u vodhi zjarrin perën¬dive për t’ua dhënë njerëzve), një fuqi e jashtëzakonshme që, sipas mënyrës që e përdorim, mund të na çlirojë ose të na skllavërojë.

Një tjetër shkrim interesant i numrit të parë të “Conscientia” është “Ngjitja e parasë”, një analizë e historikut të sistemit financiar.
“Nuk ka dyshim që kur të shkruhet historia e dy viteve të fundit, qoshja e financës do të jetë e pashmangshme. Askush që do të kërkojë të kuptojë historinë e kohës sonë, nuk do të mundet të shmangë pyetjen: Cili qe shkaku i krizës financiare?”.

Përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep historiani financiar Niall Ferguson.
“Conscientia” është botimi i munguar deri dje dhe një ekskluzivitet i leximit dixhital; një ndërthurje e përmbajtjes së mirë me progresin teknologjik.
“Conscientia” nuk pretendon të jetë perfekte, ajo synon zhvillimin dhe rritjen e ngadaltë, duke kontribuuar në atë që vetë titulli i saj sugjeron.

Në numrat e ardhshëm, “Conscentia” do të jetë e ristrukturuar në mënyrë të tillë që jo vetëm të ofrojë analiza të ngjarjeve të aktualitetit, por edhe të sjellë një sfond historik të tyre, madje edhe të vërë përballë pikërisht ngjarjet e sotme me ngjarje të historisë. Pavarësisht se çfarë thuhet, një gjë është e sigurt: historia përsërit gjithmonë vetveten!

Botimeshqip.com, duke vlerësuar iniciativën e mirë, ka marrë përsipër promovimin e kësaj reviste, e cila do të mund të shkarkohet falas nga web-i ynë për një periudhë kohe të përcaktuar, pas së cilës çmimi i “Conscientia” do të jetë vetëm 1 euro.

Një çmim i papërfillshëm për një botim dinjitoz!