skip to Main Content

Librat më romantikë për Shën Valentinin

Çokollatat zhduken, lulet vyshken, bizhuve u ikën koha… libri mbetet përgjithmonë!
Shën Valentini është dita e të dashuruarve, por në të njëjtën kohë është edhe dita e njerëzve me zemër të thyer. Sido të jeni e të ndiheni më 14 shkurt; doni t’i dhuroni diçka Valentinit tuaj ose vetes për t’ju bërë shoqëri, në një nga titujt e mëposhtëm do ta gjeni veten patjetër.
1) “Romeo dhe Xhuljeta” – Historia më e madhe e dashurisë në kohëra, personifikimi i dashurisë deri në vdekje – dhe jo në kuptimin figurativ të kësaj fjale. Pavarësisht fundit të hidhur, “Romeo e Xhuljeta” është një dhuratë perfekte për të treguar forcën e dashurisë.
2) “Lartësitë e stuhishme” – Romani i vetëm i njërës prej motrave Bronte, “Lartësitë e stuhishme” është një histori dashurie e egër, gati demoniake, një romancë gotike, e ngarkuar me seks, alkoolizëm dhe hije incesti. Pa dyshim një nga veprat më të mira të letërsisë angleze.
3) “Getsbi i madh” – Vepra që shënoi pikën kulmore në krijimtarinë e F. Scott Fitzgerald. Kjo është historia e Jay Gatsby, një i ri i pashëm dhe i pasur, dhe dashurisë së tij për bukuroshen Daisy. Një përshkrim i mrekullueshëm i periudhës kur, siç e përshkruan “The New York Times”, “xhini ishte pija kombëtare dhe seksi obsesioni i përgjithshëm”.
4) “Gruaja e njeriut që udhëtonte në kohë” – Clare dhe Henry janë shpirtra binjakë, por marrëdhënia e tyre ndërpritet vazhdimisht nga një anomali gjenetike e Henry-t, që e detyron atë të udhëtojë në kohë. Tingëllon fantastike, por në të vërtetë është një histori magjike. Më shumë se në çdo krijim tjetër, në këtë roman shprehet ideja se dashuria nuk njeh kohë, vend dhe norma.
5) “Ngadhënjimi i dashurisë” – Nuk mund t’i mungonte kësaj liste romanca më e njohur e Nikolas Sparks. Një histori dashurie mes dy adoleshentësh që i mbijeton kohës, luftës, madje edhe Alzajmerit.
6) “Lolita” – “Ishte një dashuri me shikim të parë, me shikim të fundit, me çdo shikim”. “Lolita” nuk është romanca konvencionale, përkundrazi është më tepër një histori obsesioni. E megjithatë është një kryevepër mbi erotizmin dhe tiraninë e ndjenjës së dashurisë dhe një nga librat më të lexuar në botë.
7) “Mosha e pafajësisë” – Ekranizuar nga një prej regjisorëve më të vlerësuar, libri ka në qendër një trekëndësh dashurie. Një histori pasioni, dhimbjeje dhe pengjesh, “Mosha e pafajësisë” është romanca perfekte.
8) “Për kë bien kambanat” – Dy të rinj të dashuruar në vitet aspak romantike të luftës civile të Spanjës. Për të mos u humbur!

KUJDES!
Para se të zgjidhni një libër për ta dhuruar për Shën Valentin, kujdesuni të njihni përmbajtjen e tij, si dhe të kuptoni mesazhin që mund të përcjellë. Nuk duhet të dhuroni për ditën e të dashuruarve:
1) “Si të eliminojmë celulitin” – Në këtë mënyrë i thoni të dashurës tuaj që ka celulit. Asnjë femër nuk dëshiron t’ia vënë në dukje këtë gjë, sidomos në një ditë të shënuar.
2) “Si të dukesh 10 vjet më e re” – Pavarësisht qëllimit të mirë për t’i dhuruar një libër për estetikën, titulli “bërtet”: Jo! Mesazhi që do t’i përcillni të dashurës tuaj është: ”E dashur, je plakur shumë, ke nevojë për trajtime antirrudhë”.
3) Çdo libër tekniko-studimor. Ka 364 ditë të tjera për t’u marrë me zhvillimin intelektual. Shën Valentini është ekskluzivisht për dashurinë.
Rroftë romanca!