skip to Main Content

Pavarësia e Kosovës dhe çmimet në letërsi

Shkrimtari i njohur kosovar Ramiz Kelmendi u vlerësua me Çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”. Një çmim prestigjioz, që merr vlerë edhe më të madhe këtë vit, pasi i dorëzohet Kelmendit në prag të 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Një ngjarje e madhe si Pavarësia, e vonë për atë pjesë të gjakut shqiptar, i meriton ceremonitë, në emër të kujtesës dhe sakrificave ndër vite të brezave të tërë.

Dhe letërsia është një formë e kujtesës.

Një juri profesionale bëri përzgjedhjen e kandidatëve në fushën e letrave. Ramiz Kelmendi, fitues i çmimit kryesor, është një emër i shquar i letërsisë shqipe dhe përgjithësisht i kulturës shqiptare. Ai është novelist, romancier, dramaturg, kritik, skenarist, publicist, autor dhe përkthyes i shumë veprave letrare e shkencore dhe ndihmesa e tij dhënë zhvillimit të letërsisë shqipe është e gjithanshme.
Për librat më të mirë të botuar brenda vitit 2012, shkrimtarit Ibrahim Kadriu iu dorëzua çmimi vjetor për librin më të mirë në prozë, me romanin “Pjella e dreqit”, një libër që, sipas vlerësimit të jurisë, është dëshmi e realitetit jetësor dhe projeksioni artistik i tij mund të shëmbëllejë aq shumë si përmbajtje, saqë e bën veprën letrare që, në mënyrën më të plotë, larg teknikave të poetikës hermetike, të adresojë artistikisht një pjesë të madhe të shqetësimeve të njeriut të sotëm.

Skënder Berisha është fitues i çmimit për librin më të mirë me poezi, me veprën poetike “Njëqind vjet të kërkoj”, që është vlerësuar për artikulimin përmes fjalës poetike, dashurisë dhe kujtesën historike për trojet shqiptare me një gjuhë figurative të pastër e të çiltër.

Ndërsa për dhënien e çmimit për kritikë letrare Ag Apollonit, për veprën “Paradigma e Proteut”, juria vlerëson se është monografia e vetme mbi romanin shqiptar dhe është shkruar me një qasje analitike dhe stil të qartë. Si i tillë, ky studim është i nevojshëm për të gjithë ata që duan të njihen me romanin përfaqësues të letërsisë shqipe.

Elona Qose