“Tehajjulat”
E konsideruar nga studiuesit si “bukuroshja e fjetur”, edhe për shkak se prej afro një shekulli, duke qenë e shkruar në gjuhën persishte, nuk mundi të lexohej e shijohej nga vetë shqiptarët, vepra e parë poetike e poetit tonë kombëtar Naim Frashëri, e titulluar “Ëndërrime”, jo “Ëndërrimet” siç është botuar apo citohet shpesh (“Tehajjulat”-titulli në origjinalin persisht), mund të konsiderohet, gjithashtu, si vepra me nivelin artistik më të lartë, kurora e artë e artit naimian.
Nuk është rastësi që kjo vepër, e shkruar dhe botuar më 1885 në kryeqendrën e perandorisë osmane në shtypshkronjën “Mirhan” të Stambollit, ku jetonte dhe punonte aso kohe Naimi, u konceptua pikërisht në gjuhën perse. Persishtja ishte gjuha e elitës kulturore dhe letrare të asaj perandorie, siç ishte në perandorinë romake latinishtja apo më larg, greqishtja në kohët antike.
Naim Frashëri guxoi dhe përmes kësaj vepre arriti të dëshmojë se mund të ballafaqohej me dinjitet në garën “perandorake” të poezisë. Naim Frashëri, “babazoti i letërsisë shqipe”, bëri kështu i pari aktin e ndërkombëtarizimit të verbit poetik shqiptar.