skip to Main Content

“Revolta e Atlasit” – libri me influencues ne SHBA pas Bibles.

“Revolta e Atlasit” e Ayn Rand, shqipëruar nga Amik Kasoruho, vazhdon të shesë mijëra kopje, 30 vjet pas vdekjes së autores ruso-amerikane. I botuar për herë të parë në vitin 1957 në SHBA, ai konsiderohet si kryevepra e saj. Libri me elemente të ndryshme romance, misteri dhe politike, shpërfaq bindjet e saj politike dhe mbi të gjitha filozofinë e Rand, që vetë ajo e quajti objektivizëm.
Historia zhvillohet në një shtet të identifikuar si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë shtet, politikat sociale dhe ndërhyrjet shtetërore, gjithmonë e në rritje, kthehen gradualisht në pengesë për aktivitetin e njerëzve “të ndritur”. Që nga viti i botimit të tij, “Revolta e Atlasit” ka qenë në mënyrë të vazhdueshme një nga librat më popullorë në SHBA, madje në një sondazh të vitit 1991, rezultoi si libri i dytë më influencues pas Biblës.

E megjithatë, në kohën e botimit libri nuk u prit mirë nga kritika, përkundrazi. Atëherë, si është e mundur që gjithsesi ky libër është kaq popullor? Të gjitha gjasat janë për shkak të filozofisë së autores, që u përqafua që herët nga grupe të ndryshme njerëzish dhe që nxjerr krye në mënyrë të rregullt në situata të caktuara ekonomike.
Ayn Rand është shkrimtarja e parë që ka mbrojtur në mënyrë të flaktë një ideologji të bazuar në lirinë individuale, egoizmin racional, etik dhe kapitalizmin ekstrem. Ajo iu kundërvu fesë, luftës dhe çdo forme të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi.
Siç e shpjegon vetë autorja, objektivizmi është projektuar si një udhërrëfyes për jetën, ai lartëson potencialin individual. Objektivizmi sfidon doktrinat e vetëflijimit, forcës brutale dhe kolektivizmit, që kanë sjellë shekujt e kaosit dhe mjerimit në jetën e miliona individëve.

Në formimin e autores ndikuan ngjarje dramatike të fëmijërisë, në kohën kur ishte ende në Rusi. Në moshën 12-vjeçare ajo ishte dëshmitare se si farmacia e të atit u konfiskua nga bolshevikët. Ajo nuk e harroi kurrë atë padrejtësi, as 8 vjet më vonë kur u vendos në SHBA. Rand besonte se nuk është e gabuar të jesh egoist, përkundrazi është e gabuar të të rrëmbehet puna e një jete të tërë në emër të reformave kolektiviste.
Gjatë gjithë jetës dhe punës së saj, Rand mbështeti atë që ajo e quante egoizëm etik dhe kundërshtoi altruizmin.
Pikëpamjet e Rand janë kundërshtuar nga një numër po aq i madh njerëzish sa edhe e kanë mbështetur. E megjithatë, këta të fundit shtohen me kalimin e viteve dhe ndryshimin e situatës ekonomike.
Sipas “The Economist”, shitjet e librit duket se përkojnë me publikimin e të dhënave ekonomike. Sa herë që në ekonominë botërore dhe amerikane ndihen efektet e një krize, lexuesit i rikthehen librit “Revolta e Atlasit”. Ditët e fundit një tjetër lajm ka shkaktuar debate në SHBA, ku një senator republikan nga Idaho ka propozuar leximin e detyruar të këtij libri nga nxënësit e shkollave të mesme.

Mos vallë vërtet ka ikur koha e novelave të Dikensit për varfërinë dhe padrejtësitë sociale dhe vendin e tyre do ta zërë ky njëmijë faqësh “letër dashurie” ndaj kapitalizmit?