skip to Main Content

Romani për Korenë e Veriut fiton çmimin Pulitzer

541720_538748696163437_1359678691_n

Adam Johnson ka bërë vetëm një udhëtim në Korenë e Veriut dhe romani i tij, bazuar në eksperiencën e këtij udhëtimi, i siguroi çmimin Pulitzer në letërsinë “fiction”. Anëtarët e akademisë vlerësuan veprën e Johnson, që “i transporton lexuesit në një udhëtim në thellësi të shtetit të mbyllur komunist”.
Romani “The Orphan Master’s Son” është historia e një djali të ri Jun Do dhe kalvarit të tij nëpër burgjet e Koresë së Veriut.
Johnson, profesor i anglishtes në universitetin prestigjioz Stanford, ka shkruar një roman brilant, që hulumton në hapësirat më intime të shpirtit. Johnson e shkroi librin pas disa vitesh kërkimesh dhe studimesh mbi terrenin socio-politik të Koresë, përfshirë edhe një udhëtim në shoqërinë e mbyllur koreano-veriore.
Pas marrjes së çmimit, Johnson u shpreh se ai udhëtim e bëri të shqetësohet dhe simpatizojë njerëzit në Korenë e Veriut dhe se shpreson që ky libër të shërbejë edhe si sensibilizim për situatën e vendit.
“Njerëzit fillimisht mendonin se isha i çmendur që të shkruaja një roman për Korenë e Veriut. Por një nga gjërat që zbulova atje ishte se koreano-veriorët nuk mund ta tregojnë vetë historinë e tyre e megjithatë është e rëndësishme që njerëzit të njihen me të. Kështu që pata ndjesinë e detyrës për të folur mbi këtë çështje”,- tha Adam Johnson. “Për një shkrimtar, mitet, legjendat janë mjete të fuqishme për të krijuar një portret psikologjik dhe Koresë së Veriut këto nuk i mungonin”.
Pulitzer është çmimi më prestigjioz amerikan dhe ndër vite është fituar nga disa prej novelistëve më të famshëm.
Çmimi akordohet për arritje në gazetari, letërsi dhe muzikë që prej vitit 1917.