Fatos Kongoli në libraritë europiane
Nëse flasim për përfaqësimin e letërsisë shqiptare në krijimtarinë botërore, emri i parë që i shkon në mendje gjithkujt është pa dyshim Ismail Kadare – shkrimtari më i njohur shqiptar, veprat e të cilit janë përkthyer dhe botuar në shumë vende të botës dhe kandidat i përhershëm i çmimeve më të njohura letrare.
Por Kadare nuk është i vetmi…
Me sugjerimin e një mikeshës sime, vite më parë lexova librin “I humburi”; ishte hera e parë që lexoja një krijim të shkrimtarit Fatos Kongoli. Pastaj erdhi radha e “Lëkura e qenit”, më pas “Jetë në kuti shkrepëseje”, një roman me të cilin u dashurova. Pas shumë kohësh, vepra e një shkrimtari shqiptar më përpiu.
Ishte koha kur kuptova se Fatos Kongoli ishte… ndryshe.
Një shkrimtar i mrekullueshëm, me një krijimtari të lavdërueshme. Vepra e Kongolit është përkthyer dhe lexohet në tetë gjuhë të huaja. I fundit është “Bolero në vilën e pleqve”, i përkthyer në frëngjisht. Pas botimit muajin e kaluar në Spanjë të romanit “I humburi”, i katërti libër i këtij autori në gjuhën spanjolle, është hedhur në qarkullim në Francë një nga romanet më të goditur dhe më të vlerësuar të Fatos Kongolit nga lexuesit shqiptarë, “Bolero në vilën e pleqve”. Ashtu si romanet e tjerë të botuar në frëngjisht, edhe ky i fundit është përkthyer nga Edmond Tupja. Romani rrëfen për dy pleq në moshë të shtyrë, të cilët i dërgojnë letra njëri-tjetrit, në lojë hyn edhe një infermiere që kujdeset për ta dhe nuk i reziston dot kureshtjes për letrat që pleqtë i dërgojnë njëri-tjetrit. Ky roman u promovua në Tiranë në shkurt të vitit 2009 dhe u vlerësua si një përpjekje e autorit për të depërtuar në skutat më të errëta të psikikës njerëzore.
Kritika franceze dhe spanjolle nuk i ka kursyer lavdet për shkrimtarin tonë.
“Është një tregim tragjikisht i bukur. Një autor me vlerë për t’u lexuar e për ta dëgjuar”, – ka shkruar revista spanjolle “Revista de Letras” për romanin “I humburi”. “Libri nxjerr në pah edhe një herë (sidomos në këtë rast) mundësinë e jetës që është në gjendje të na prezantojë Fatos Kongoli me një realizëm të tillë bindës, edhe pse bëhet fjalë për copëza imagjinate. Ndoshta sepse në to është gjithmonë një rrymë e fshehur dhimbjeje: sidomos një burrë apo një grua humbëse… Dikujt i dalin atributet, duke e ditur se sa josh dhimbja në një roman”.
Ndërkohë, “Lëkura e qenit” është botuar edhe në gjuhën Esperanto, një surprizë e këndshme për autorin.
Për mua personalisht, dhe për shumë miq e të njohur të mi – Kongoli është shkrimtari më i mirë i 20 viteve të fundit, librat e të cilit i lexoj me dëshirë.
Ndaj, ndihem gjithmonë mirë (mbase më përshkon edhe një ndjenjë krenarie) sa herë shikoj që në shtypin e huaj rezervohet një vend – me meritë të plotë – për veprën e Fatos Kongolit