skip to Main Content

“Libra popullorë të adaptuar në filma “

Libra popullorë të adaptuar në filma

Sa herë njoftohet prodhimi i ndonjë filmi bazuar në libra, njerëzit përgjithësisht ankohen për mungesë imagjinate dhe kreativiteti nga ana e producentëve. Nuk dua të gënjej, shpesh kam qenë edhe unë në këtë kategori, skeptike për të parë në ekranin e madh historinë e ndonjë prej librave të mi të preferuar.
Por, nëse hedhim një vështrim mbi prodhimet hollivudiane ndër vite, vëmë re se disa nga filmat më të mirë në historinë e kinemasë janë bazuar në libra. Vetëm vitin e kaluar, shtatë nga filmat me përfitime më të mëdha financiare ishin adaptime librash; filmat e vlerësuar pozitivisht dhe fitues të çmimeve “Oscar”, si: “Argo”, “Lincoln”, “Të mjerët” etj. ishin gjithashtu adaptime. Pra, sukses financiar dhe kritik në të njëjtën kohë. Lavdi Zotit për skenaristët e talentuar që adaptojnë romanet për ekranin e madh!
Më poshtë do të gjeni një listë, subjektive, të disa prej ekranizimeve më interesante.

Kodi Da Vinçi
Libri bestseller i Dan Brown, që hedh teorinë e martesës së mundshme të Jezus Krishtit me Magdalenën dhe pasjen e një trashëgimtari, u sulmua nga shumë njerëz, nga liderët e kishës katolike (për herezi) deri te shkrimtarët e tjerë, si Salman Ruzhdi (për mënyrën e keqe të të shkruarit). Por prodhimi kinematografik, me protagonist Tom Hanks, ishte një sukses financiar. Thirrjet e kishës për bojkotimin e filmit në fakt bënë të kundërtën, duke eklipsuar kritikat e dobëta dhe filmi arriti të fitonte 758 milionë dollarë.

Ujë për elefantët
“Ujë për elefantët” i Sara Gruen është një adaptim i mrekullueshëm. Filmi arrin të nxjerrë gjithë spektaklin e një cirku në kohën e Depresionit të Madh. Një histori romantike, që shpërfaq një trekëndësh të rrezikshëm dashurie, duke ia arritur, edhe nëpërmjet aktorëve të talentuar – Reese Witherspoon, Christoph Waltz dhe Robert Patinson – të futet në psikologjinë e karaktereve.

Muzgu
Seria shumë e suksesshme për adoleshentë, shkruar nga Stephenie Meyer, ishte një fenomen ende pa u përshtatur për ekranin e madh. Ky i fundit rezultoi në një sukses të jashtëzakonshëm, duke krijuar histeri adoleshentësh dhe duke katapultuar në famë aktorët kryesorë: Robert Patinson dhe Kristen Stewart

Ngadhënjimi i dashurisë
Nicholas Sparks nuk është i panjohur me veprat e tij të adaptuara në filma, pothuajse çdo dy vjet bëhet një prodhim filmik i librave të tij, por më i njohuri dhe mbase më i dashuri për fansat mbetet “Ngadhënjimi i dashurisë”, i ekranizuar me titullin “Ditari”. Rachel McAdams luan rolin e një vajze të pasur, Ryan Gosling – një djalë i klasës punëtore. Ata takohen gjatë pushimeve të verës, bien në dashuri dhe detyrohen të ndahen. Kimia mes dy aktorëve ndikoi pa dyshim në suksesin e filmit.

Harry Poter
Realizuar me efekte speciale dhe pak i errët, filmat bazuar në kolanën e Harry Poter janë të fuqishëm. Me një sukses të jashtëzakonshëm mbarëbotëror, të gjithë e dinë se si përfundojnë librat e J.K. Rowlingg, e megjithatë filmat kanë dëshmuar se ndonjëherë mënyra sesi realizohet dhe përcillet drama është po aq e rëndësishme sa përfundimi.

Kryezoti i unazës
Trilogjia “Kryezoti i unazës” – një histori për gjetjen dhe shkatërrimin e armës së fundit – pa suksesin kinematografik me prodhimin e kushtueshëm nga regjisori Peter Jackson. Çelësi i suksesit ishte trajtimi epik i veprës. Një film i denjë për skenarin e përshtatur, me një kast aktorësh nga Viggo Montensen te Cate Blanchett dhe me disa çmime “Oscar”.

Djalli vishet me Prada
Kur u botua në vitin 2003, libri i Lauren Weisberger, për kohën e saj të punës në revistën prestigjioze “Vogue”, u prit me indinjatë. Ekranizimi i librit ishte ndërkohë i zgjuar. E mrekullueshmja Meryl Streep e transformoi personazhin e Miranda Priestley në një femër të komplikuar në karrierë me kërkesa të papranueshme ndaj punonjësve të saj.

Seksi dhe qyteti
Në fillim e adaptuar për ekranin e vogël, seriali “Seksi dhe qyteti”, i bazuar në librin me të njëjtin titull, njohu një sukses kaq të madh sa autorët vendosen ta kthenin në film me metrazh të gjatë. Aventurat e katër grave njujorkeze nuk patën të njëjtin impakt, madje kritika u tregua e pamëshirshme, por kjo nuk i stepi aspak femrat: Kerri Bradshou dhe mikeshat e saj vazhdojnë të mbeten heroinat e grave, dhe ikonat e modës, në gjithë botën.
Getsbi i madh
Prodhimi ekstravagant prej 105 milionë dollarësh doli në kinema fundjavën që lamë pas në Shtetet e Bashkuara dhe suksesi i ditëve të para i kaloi pritshmëritë. Ky është adaptimi i dytë i klasikut të Fitzgerald, pas atij pak të suksesshëm të vitit 1972. Me Leonardo Di Caprio në rolin e Xhei Getsbit, filmi nuk është pëlqyer nga kritikët, që mendojnë se më shumë u është lënë vend efekteve të festave të shfrenuara sesa personazhit kryesor. Por tek e fundit, kur janë ndikuar ndonjëherë njerëzit nga kritikat? “Getsbi i madh” është libri i dashur i amerikanëve dhe Leo Di Caprio është zgjedhja perfekte për t’i çuar dashamirësit në kinema.

http://www.botimeshqip.com/proze/1450-muzgu-394.html