Asaj që shkoi – Sharl Bodler
Rreth meje rruga ulërin dhe buçet.
E gjat’e hollë, sterrë, kujë madhështore,
Një grua shkoi me një fustan të zi për dorë,
Q’e kolovitte poshtë’e lart me salltanet.
Si engjëll, si statuj’e gjallë vetëtin,
Si i shastisur dhe i çakërdisur unë,
Nga syr’i saj si qiell që mbrun furtunë,
Thëthinja mjaltë që magjeps, dëfrim që grin.
Ia shkrepi dhe u-err. Moj flutur e farosur,
Që me vështrimin tënd më bëre flag’e furrë,
S’të shoh më vallë veç në jetën e pasosur?
Ah, gjetkë, tutje, tepër vonë, ndofta kurrë,
Se unë s’di ku ike, ti ku shkon s’e di,
Të desha, moj, e dije vetë edhe ti.