skip to Main Content

Dan Brown mes kritikës dhe publikut

Në pritje të publikimit në shqip të librit më të fundit të Dan Brown, “Ferri” – të cilin tashmë e gjeni në botimeshqip.com – lexova një tjetër libër të këtij autori, “Simboli i humbur”.
Ashtu siç e prisja, edhe ky libër vazhdon në të njëjtën linjë me të mëparshmit.
Që pas suksesit ndërkombëtar të “Kodi Da Vinçi”, autori është vënë përballë kritikave të ndryshme. Nga njëra anë janë shitjet multimilionëshe dhe nga ana tjetër ngacmimet e kritikëve, të cilët nuk ngurojnë ta cilësojnë mediokër.
Kritika, sigurisht, që nuk mund të injorohet, por, të jemi të sinqertë, nuk mund të injorojmë edhe shijet e publikut, i cili, tekefundit, është ai që shpenzon.
Dhe shitjet tregojnë se publiku i pëlqen tekstet me konspiracione. Në librat e tij, Brown bën dy gjëra: zgjidh mistere dhe mjegullon faktet. Lexuesit gjithmonë janë tërhequr nga misteret dhe e panjohura dhe Dan Brown nuk është i vetmi që e ka përdorur këtë gjë në veprat e tij.
Por Brown shkakton polemika sepse merret me gjëra të shenjta për grupe njerëzish: feja, shkenca, historia…, të cilat i përdor për t’i dhënë kolorit veprave të tij.

“Polemika është një gjë e mirë, pasi shkakton diskutime. Disa njerëz e kuptojnë mënyrën time të të shkruarit dhe janë fansat e mi, disa nuk e kuptojnë dhe janë kritikët e mi”,– thotë Brown. Dhe ka një farë të drejte. Shumë njerëz i kuptojnë shkrimet e tij dhe e dinë se nuk janë të mbështetur në fakte të pakundërshtueshme.

Por Dan Brown, padyshim, që mund të bëjë më mirë, së pari duke ndaluar së kthyeri çdo gjë në një ide konspirative. Tani për tani, Dan Brown është thjesht një autor që, sipas kritikëve, shkruan libra të këqij, por që kjo nuk e pengon të shesë miliona kopje në mbarë botën.
Kjo e fundit mjafton për t’i dhënë meritën që i takon.