Alice Munro – Nobel në Letërsi
Mjeshtre e prozës së shkurtër…
Çmimi Nobel për Letërsinë për këtë vit ka shkuar për shkrimtaren kanadeze Alice Munro.
Munro konsiderohet si një nga autoret më të mira në botë për tregimet e shkurtra dhe është vlerësuar nga akademia e Nobelit pikërisht si një mjeshtre e prozës së shkurtër bashkëkohore.
Edhe pse pak mund ta dinë, Munro është ndër të parat që ka shkruar për virgjëreshat shqiptare, për fenomenin e ndryshimit të jetës së femrave, duke u veshur dhe jetuar si burra. Një fenomen që kohët e fundit ka tërhequr mjaft vëmendjen e shtypit të huaj, duke u trajtuar edhe në dokumentarë.
Në librin “Virgjëresha Shqiptare”, të përkthyer edhe në shqip, Alice Munro tregon historinë e një femre, e cila pas një dashurie të papërfunduar vendos të mos martohet më kurrë dhe të jetojë si mashkull.
Ngjarjet vendosen në Malësinë e madhe dhe vetë autorja ka thënë se për të shkruar librin është mbështetur në një botim udhëtimesh për Shqipërinë.
Libri “Virgjëresha shqiptare” është cilësuar nga prestigjiozja “New York Times” si një nga veprat më të arrira të autores kanadeze, duke i kushtuar edhe një artikull të gjatë rreth 20 vite më parë.
Edhe këtë vit, të apasionuarit pas letërsisë së shkrimtarit Haruki Murakami kane mbetur të zhgënjyer, edhe pse për shumë kohë ai ishte pretendenti kryesor për fitimin e çmimit.