Mjegulli i dashurisë
Kur ikja larg, drejt teje vija,
kur vija afër ikja larg,
për dreq më trembte largësia
dhe afërsia bëhej çark.
As e kuptoja si të desha,
një mjegull pus, një çmenduri,
si një poet që shkruan vjersha
dhe ndez një shkrepëse dhe i bën hi.
Dhe ndoshta kjo ish dashuria
e çakërdisur kuturu…
Për dreq më trembte largësia
dhe afërsia gjithashtu!