Panairi i Librit “Tirana 2013”
Panairi i Librit “Tirana 2013”
Panairi i 16-të i librit do të çelet më 13 nëntor. Për pesë ditë me radhë, 90 shtëpi botuese, 12 prej të cilave nga Kosova e disa të tjera nga Maqedonia dhe Mali i Zi, do të sjellin për lexuesin e librit shqip tituj e autorë të rinj.
Përveç paraqitjes së librave, si çdo vit janë parashikuar promovime titujsh nga shtëpi të ndryshme botuese, ndërsa aktivitete të shumta do të zhvillohen edhe mbi moton e panairit të këtij viti, “Pirateria dhe informaliteti po vrasin librin”. Personalitete të kulturës dhe të politikës do të diskutojnë mbi problemet që sjell në tregun e lirë të librit “vjedhja” e të drejtës së autorit. Në ditën e tretë të panairit, Shoqata e Botuesve Shqiptarë do të organizojë konferencën mbi piraterinë e librit, ku do të jenë të ftuar të marrin pjesë njohës të legjislacionit të së drejtës së autorit nga Shqipëria dhe Kosova, përfaqësues të politikës shqiptare dhe europiane, përfaqësi diplomatike, Avokati i Popullit etj.
Një nga aktivitet kryesore gjatë ditëve të panairit do të jetë ai kushtuar shkrimtarit të njohur Albert Kamy. Nga Parisi vjen profesori Jean Yves Guerin, një emër i shquar i kulturës europiane, që do të jetë në qendër të konferencës kushtuar Kamys. Postera me portretin e shkrimtarit do të jenë pjesë e dekorit të këtij panairi, duke njoftuar se ky është viti i Kamys.
Autor tjetër që vjen në panair është edhe shkrimtari italian Claudio Magris, që e sjell Instituti Italian i Kulturës.
Bruno Vespa, drejtuesi i njohur i emisionit “Porta a Porta”, autor i 30 librave, një pjesë e madhe e të cilëve janë studime mbi historinë e politikës italiane dhe mbi personalitetet që kanë bërë historinë e Italisë, vjen i ftuar nga Universiteti Europian i Tiranës dhe Botimet UET PRESS.
Nuk do të mungojnë autorë të njohur shqiptarë, si Ismail Kadare, Besnik Mustafaj, Spartak Ngjela, Sabri Hamiti, Kim Mehmeti, Luljeta Lleshanaku, etj.
Ndërkohë, me nismën e ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, gjatë ditëve të panairit do të zhvillohet një takim i gjerë ku do të trajtohen problemet e përkthimit.
Panairi i librit është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore, me paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në treg në harkun kohor të një viti.