Ribotohet “Meshari i Gjon Buzukut”
Dy ditë para çeljes së Panairit të Librit, botimet “Çabej” kanë nxjerrë një ribotim të “Mesharit” të Buzukut. Botimi, që do të promovohet në Panairin e Librit, s’ka asnjë dallim me të vjetrin. Në botimin e ri përfshihen faksimile të tekstit origjinal të vitit 1555 dhe një hyrje e vetë profesor Çabejt për Buzukun, i cili përbën një studim të hollësishëm dhe të thelluar të librit të parë në shqip të njohur deri sot. “Meshari” origjinal erdhi në Shqipëri pak ditë para përkujtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe ishte një nga evenimentet që tërhoqi numrin më të madh të vizitorëve pranë Bibliotekës Kombëtare. Në vitin 1932 libri u fotokopjua në tri kopje, njëra nga të cilat gjendet ne Bibliotekën Kombëtare Shqiptare në Tiranë.