skip to Main Content

Librat më të mirë (për mua) të këtij viti

Është kthyer gati në zakon që në fund të vitit të hartohen lista gjithfarësh: filmat më të mirë të vitit, këngët më të suksesshme, personazhet e vitit… dhe sigurisht edhe librat më të mirë.
Në këtë shkrim të fundit për vitin 2013 mendova të mos bëj lista të tilla, tek e fundit, çfarë është e bukur për mua jo domosdoshmërisht është e tillë edhe për të tjerët. Kështu që, në këtë shkrim nuk do të rendis librat të konsideruar më të mirë nga kritikë letrare, revista prestigjioze apo lexues të thjeshtë dhe gjithashtu nuk do të shkruaj vetëm për libra të botuar gjatë këtij viti. Mendova që në këtë shkrim t’ju njoh me librat më të mirë që kam lexuar unë gjatë këtij viti. Hidhini një sy dhe nëse nuk keni lexuar ende ndonjë nga librat e mëposhtëm do t’ju këshilloja të mos humbni kohë.

1. “Rastësisht një vend bosh” – Përpjekja e parë letrare e J.K. Rowling pas “Harri Potter” nuk u prit edhe aq mirë nga kritikët, pikërisht për shkak të suksesit të jashtëzakonshëm që pati për vite me radhë. “Rastësisht një vend bosh” është një libër që ose do ta duash ose do ta urresh, rrugë të mesme nuk ka. Unë, sigurisht, i përkas grupit të parë.

2. “Të vrasësh zogun përqeshës” nga Harper Lee ka fituar çmimin Pulitzer, por nuk kjo është arsyeja pse e kam shijuar leximin e këtij libri. “Të vrasësh zogun përqeshës” është një libër i këndshëm, zbavitës e tërheqës, edhe pse pak i trishtë. Lee nuk shkroi më pas këtij libri. Duhet të ketë qenë e vështirë të shkruante diçka tjetër në të njëjtin nivel.

3. “Të bëjmë përpara” – Në shoqërinë tonë me demokraci ende të brishtë, ndonjëherë kërkojmë aq shumë duke harruar se shoqëri shumë më të tepër të zhvilluara kanë ende të njëjtat probleme. Një i tillë konsiderohet pabarazia gjinore. Gratë trajtohen në mënyrë kaq të pabarabartë në vendet e punës, saqë formojnë grupe mbështetëse të të drejtave të tyre. Kjo ndodh edhe në SHBA. Dhe Sheryl Sandberg e di mirë këtë.

4. Rrallë më ndodh të lexoj ndonjë libër pasi kam parë adaptimin e tij në ekranin e kinemasë. Por këtë herë nuk i rezistova dot tundimit për të lexuar librin “Lojërat e urisë”, pasi u publikua edhe në shqip. Filmi me të njëjtin titull ishte një prodhim gati ekstravagant, me një buxhet miliona dollarësh dhe me një staf të njohur aktorësh. Libri i Suzanne Collins, për mendimin tim, ka një rrëfim fantastik.

5. “Getsbi i madh” – libri më i dashur i amerikanëve. Më vjen keq – edhe pak turp në të njëjtën kohë – që m’u deshën kaq vite për të lexuar një nga kryeveprat e letërsisë botërore. Një libër i vogël, në një lexim të shpejtë edhe i thjeshtë, por kaq i fuqishëm në të njëjtën kohë. F.S.Fitzgerald ka realizuar një nga personazhet më kompleks në letërsi. Xhei Getsbi u shndërrua në një arketip në Amerikën e viteve ’20, një i ri, i cili vendos të transformojë veten duke u pasuruar nëpërmjet kontrabandës. Por Getsbi nuk kishte nevojë thjesht për para dhe është e pamundur të mos ndjesh simpati të paktën për Getsbin romantik.

6. “Ai që nuk dinte të dashuronte” – Një tjetër libër që do të doja ta kisha lexuar më herët. Me Harold Robbins jam njohur në fillim të viteve 2000, kur lexova librin e parë të tij të përkthyer në shqip, “Mos dashuro kurrë një të huaj”. I përkthyer në mënyrë mjeshtërore nga Amik Kasoruho, “Ai që nuk dinte të dashuronte” është një rrëfim epik i jetës së një miliarderi, me peripecitë, guximin dhe dashuritë e tij.

7. “Dhe malet oshtinë”. “Gjuetari i balonave” mbetet libri im i preferuar nga Khaled Hosseini. Megjithatë, libri i tij i fundit, “Dhe malet oshtinë”, ishte interesant dhe i këndshëm për t’u lexuar. Një libër i përqendruar më shumë në lidhjet familjare, edhe pse tragjeditë individuale si pasojë e luftës kanë një vend të rëndësishëm në zhvillimin e historisë.

8. “Princesha” – Këtë libër ma bënë dhuratë për ditëlindje. Stili i të shkruarit nuk është nga më të mirët, duke marrë parasysh se autorja nuk është shkrimtare e mirëfilltë, gjithsesi libri “Princesha” është një rrëfim mbi jetën e grave arabe. Kam lexuar shumë komente mbi këtë libër, shumë njerëz që kritikonin autoren pasi, sipas tyre, me anë të këtij libri ka pasur si qëllim denigrimin e fesë myslimane. Për lexues si unë, një arsyetim i tillë është shumë sipërfaqësor.

Këta janë librat që më kanë pëlqyer më shumë këtë vit. Në blogun e ardhshëm do të merrem me një grup tjetër librash: ata që nuk më kanë lënë shije të mirë. Ndërkohë:
Gëzuar, miq! Paçi një vit të mbarë, të qetë e plot dashuri!