skip to Main Content

Pezull – Xhevahir Spahiu

Ka muaj që duart s`më punojnë
dhe koka më bën dimër tej e tej;
s`e di se nga më vijnë dhe ku shkojnë
ca akuj kallur tinëz nëpër dej.

Çdo ditë gishtërinjtë i flasin nikotinës
ca fjalë uloke…dhe…sot ashtu…si…dje;
aq sa je gati me grusht t’i biesh pasqyrës,
fytyrën tënde ta rrezosh përdhe.

Mungesa e vetmisë më ka munduar,
tani i vetëm ndihem si në morg;
nëse përshesh me kocka më kanë shtruar,
as korbit vetë unë nuk i ndolla kob.

Ngre kurthe ditë-nata; dimër-vera
shtrigon, mpreh thikat; ç`besëlidhje e zezë!
Pas çdo rrënoje iluzionesh era
fryn, o njeri, mbi ty si mbi varrez