skip to Main Content

23 prilli – Dita Botërore e Librit

dita e librit

Ideja ka lindur në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. 23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të vitit 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive se çdo nismë për promovimin e librave të rinj.Jo rastësisht është zgjedhur kjo datë; më 23 prill të vitit 1616 u nda jeta Servantesi, Shekspiri dhe Garcilaso de la Vega, i mbiquajtur Inca. 23 prilli shënon edhe lindjen ose vdekjen e shkrimtarëve të tjerë, si Maurice Druon, K.Laxness, Vladimir Nabokov, Joseph Pla dhe Manuel Mejia Vallejo. Në nderim të këtyre emrave të mëdhenj të letrave, Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s zgjodhi pikërisht këtë datë, për t’i bërë homazh librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit.  Përveç mënyrës klasike të të përkujtuarit të kësaj dite – promovimi i librave të rinj – në vende të ndryshme të botës nuk mungojnë idetë origjinale.Spanja çdo vit organizon panairin gjigant të librit, me mijëra tituj të rinj e të vjetër, dhe me grupe leximi për të inkurajuar brezin të ri që të mos e privojnë veten nga kënaqësia e të lexuarit.Në Angli organizohet nata e dhurimit të librave; rreth 20 mijë vullnetarë pritet të shpërndajnë mbi 500 mijë libra falas për ata që nuk kanë mundësinë e shpenzimit për ta.Prej disa vitesh, 23 prilli përkujtohet edhe në vendin tonë, edhe pse jo në nivelet e atyre që përmendëm më sipër. E sigurt është që letërsia shqipe ka marrë një hov, me botime të shumta artistike e sidomos studimore. E rëndësishme është që janë të shumtë ata që i japin librit vendin që i takon dhe që ndihmojnë në lidhjen e tij me lexuesin.Botimeshqip.com, një sipërmarrje e librit dhe për librin, e ka bërë tashmë misionin e vet promovimin e librit shqip.“Botën e kam njohur nëpërmjet librave” – ka  thënë filozofi Sartër.E në mos gjithë botën, të paktën një pjesë të saj… Për të celebruar Ditën e Librit, shfletoni sot një libër të letërsisë shqipe… dhe dita do të jetë patjetër më e bukur.?