skip to Main Content

Librat e grave, për gratë që kanë bërë historinë

images Jemi në prag të 8 marsit, ditës ndërkombëtare të gruas. Është dita kur më shumë se kurrë ndërgjegjësohemi për mundësitë që kemi dhe progresin e bërë ndër vite për të drejta të barabarta; është dita kur përkujtojmë me nderim ato gra të fuqishme, që me kurajë e sakrifica bënë të mundur që fjala e tyre të dëgjohej; është dita që gjithashtu duhet të ndërgjegjësohemi që jo të gjitha jemi njësoj, që në pjesë të tjera të botës gruaja ende nëpërkëmbet, dhunohet e përdhunohet.       8 marsi është dita kur, në vend të vanitetit, të tregojmë fuqinë e zërit; kur në vend të shfaqjeve argëtuese striptiste, të zgjedhim manifestimin, qoftë edhe të heshtur, sepse pavarësisht arritjeve të shekullit të fundit, ka ende shumë për të bërë.       Stafi i botimeshqip.com, në kuadër të kësaj dite, ka bërë një përzgjedhje librash të shkruar nga femrat ose për femrat; libra që kanë ndikuar breza të tërë.

Një dhomë më vete – Virginia Woolf.   Në këtë libër, autorja feministe shfaq bindjen e saj se për të krijuar vepra gjeniale, gratë duhet të kenë liri ekonomike. Sipas Woolf, gratë duhet të kenë para dhe një dhomë më vete në qoftë se duan të merren me krijimtari. Nëpërmjet kësaj eseje, Woolf u bën të qartë grave rëndësinë e edukimit për të zënë vende të merituara në shoqëri.       Një mijë diej vezullues – Khaled Hosseini.   Një histori e vendosur në Afganistanin e 30 viteve të fundit, nga pushtimi sovjetik në udhëheqjen e talebanëve. Është historia e dy brezave në luftën për mbijetesë; është historia e jashtëzakonshme e grave të këtij vendi.       Ditar – Anne Frank   Për njerëzit në të gjithë botën, Ana Frank, vajza hebreje me sy të mëdhenj, është shndërruar në “fytyrën njerëzore” të Holokaustit.

Seksi i dytë  I, II – Simone de Beauvoir.   “Grua bëhesh, nuk lind”,- thotë autorja. “Seksi i dytë” është një studim sociologjik dhe psikologjik nga një autore feministe, një libër që transformoi perceptimin e marrëdhënieve shoqërore të dy gjinive.       Sikur të isha djalë! – Haki Stërmilli.   Vetë titulli është një klithmë pafuqie. Libri nuk është thjesht një histori dashurie, është historia e një gruaje, si shumë të tjera në Shqipërinë e fillimshekullit XX, të pafuqishme për të vendosur për fatin e tyre.       Të jetosh e mbuluar – Deborah Ellis.   Një libër që përshkruan jetën në Afganistan, ku gratë nuk mund të dalin nga shtëpia pa qenë të shoqëruara nga një burrë. Por ka edhe gra si Parvana, që lufton për të ndryshuar gjërat.       Careshat – Vladimir Fedorovski.   “Careshat” ose gratë që bënë Rusinë, është një libër për ndikimin femëror në politikën ruse. Rusët i quanin këto gra caresha, edhe kur ato nuk kishin lidhje me familjen perandorake.