skip to Main Content

“50 hijet”: Si e ndryshoi industrinë e seksit një roman i çuditshëm

Një duzinë njerëzish të (zh)veshur me pak-o-gjë, tavolina të mbushura me lodra seksi që do të kishin bërë të skuqeshin edhe më mendjehapurit dhe një turmë e madhe njerëzish kuriozë – kjo ishte panorama gjatë “Adult Entertainment Expo”, panairi i industrisë porno.

Një grua, veshur me rozë të ndezur, ka vendosur të provojë një nga produktet më të reklamuara: një shtrat me kornizë në formë djepi. Me çmimin prej 3600 dollarësh, shtrati ka edhe lidhëse të kuqe, me anë të të cilave partnerët mund të lidhin njëri-tjetrin.

“Pavarësisht ekonomisë në krizë, biznesi i “dhomës së gjumit” ka pasur ngritje”,- shpjegon Rick Lockett, zëvendëspresident i kompanisë që ka nxjerrë në treg një pjesë të mirë të artikujve të paraqitur në panair. Një lulëzim të tillë të tregut, Lockett ia atribuon popullaritetit të romanit tashmë bestseller, “Fifty shades” – (50 hijet – trilogjia tashmë e përkthyer në shqip ka dalë në tregun tonë) – që tregon për marrëdhënien seksualisht të nënshtruar të një vajze të re me një biznesmen aventurier.

Trilogjia erotike ka shitur miliona kopje në të gjithë botën falë popullaritetit mes lexueseve femra, shumë prej të cilave janë frymëzuar për të qenë më të guximshme në dhomën e gjumit.  Pothuajse të gjithë që ishin në ditën e parë të panairit folën për efektin e librit “50 hijet” në industrinë argëtuese të të rriturve.  Pas shqetësimeve për ulje të ndjeshme të fitimeve – pjesërisht për shkak të shkarkimeve pirate në internet dhe lodrave të lira të seksit – një libër i tillë nxiti interesin për produkte të rriturish te njerëz që, papritur, ishin të gatshëm të përqafonin anë të ndryshme të seksualitetit të tyre.

“Njerëzit janë bërë më të hapur seksualisht”,- thotë James Deen, një nga performuesit më të njohur të industrisë porno. “Gjërat që shkaktonin shok te njerëzit, nuk shihen më si të tilla, fatmirësisht, dhe një rol të rëndësishëm ka edhe efekti “libër”.Sipas statistikave, një nga dyqanet më të mëdhenj të lodrave të seksit, me degë në të gjithë Amerikën, shënoi 20 për qind rritje të shitjeve pas publikimit të librit të parë “50 hijet e Greit”, ndërsa produktet që përshkruhen në libër vazhdojnë të kenë shitje të qëndrueshme.

Sipas njerëzve të industrisë, mbase nuk është cilësia e librit, por zhurma që ka shkaktuar ai që e kanë bërë një lloj fenomeni, pasi ka ndryshuar mënyrën se si njerëzit e perceptojnë seksin. Libri e bëri punën e tij në mbrojtje të një industrie që ka vuajtur për t’u marrë seriozisht dhe ndërsa pritet adaptimi i librit në ekranin e madh të kinemasë, po shpresohet për një shpërthim të ri të fitimeve.

E. Qose