60 vjeç… Çfarë libri dhurohet?
Idenë për shkrimin e sotëm e mora nga një mike e faqes tonë, e cila na kërkonte ta ndihmonim me ndonjë titull të përshtatshëm libri për t’ia bërë dhuratë një 60-vjeçareje.
Gratë i duan librat, madje në bazë të të gjitha statistikave të bëra publike, gratë përbëjnë numrin më të madh të personave që blejnë libra. Provo të përmendësh ndonjë titull libri kur je në një tavolinë me miket e tua – të çdo lloj moshe – dhe është e sigurt që të paktën njëra prej tyre do e ketë lexuar ose të paktën ka dëgjuar për të, gjë që do të çojë në një diskutim të gjatë për llojet e librave që keni lexuar dhe pëlqyer.
T’i kthehemi ndërkaq grupmoshës për të cilën kemi nisur këtë shkrim. Gratë e moshës 60-vjeçare përgjithësisht pëlqejnë të lexojnë të njëjtët libra si çdo moshë tjetër – libra të këndshëm, me humor, interesantë e edukativë. Përgjithësisht kam vënë re se për gratë e kësaj moshe rekomandohen libra me dieta, apo libra me këshilla estetike. Mendimi im: Të mërzitshëm!
Në fakt, para se të dhurosh një libër duhet ta njohësh personin të cilit do t’ia bësh këtë dhuratë, të dish interesat dhe pasionet e tij.
Kështu, nëse ajo e pëlqen gatimin (cila grua shqiptare në të 60-at nuk e pëlqen?), një libër me receta gatimi do të ishte shumë i përshtatshëm. Plus që librat e gatimit mund të jenë edhe argëtues për t’u lexuar, edhe nëse kuzhina nuk është ambienti i preferuar në shtëpi.
Në botimeshqip.com, në kategorinë “Kuzhinë”, gjeni një llojshmëri titujsh, që nga kuzhina tradicionale, mesdhetare, italiane, deri te recetat për ëmbëlsira apo për vegjetarianët.
Një grua 60-vjeçare nuk do t’i thoshte jo një romani të mirë rozë: janë të lehtë për të lexuar, nuk të lodhin dhe janë të këndshëm. Një libër i Nicolas Sparks apo Daniel Still, është gjithmonë i pranueshëm.
Biografitë përgjithësisht vlerësohen shumë nga gratë. “Tepër krenare, tepër e brishtë” është një libër i ndjerë mbi jetën e të madhes Maria Callas.
Një tjetër zgjedhje interesante do të ishte “Geraldina e shqiptarëve”. Ndërsa për ato që ende nuk e kanë lexuar është libri i një gruaje me peshë: “Kohë e pamjaftueshme” nga Helena Kadare.
Për të apasionuarat pas historisë mundësitë janë të pafundme, që nga librat për histori vendesh të veçanta tek ata për ngjarje apo personazhe që në momente të caktuara kanë luajtur rol kyç në rrjedhën historike të vendeve e popujve.
Lexim të këndshëm!