skip to Main Content

85 vitet e Gjergj Vlashit…

cache_2429258034

Shkrimtari dhe përkthyesi Gjergj Vlashi mbush sot 85 vjet. I nderuar me titujt e lartë “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”, Gjergj Vlashi ka botuar rreth 40 vepra në letërsi origjinale, përkthime dhe komedi.Njohës i disa gjuhëve të huaja, Vlashi ka sjellë në gjuhën shqipe një varg botimesh me përkthime nga autorë të njohur, si Franz Kafka, Jose Saramago, Agata Kristi, Dino Buxati, shkrimtarë rusë, italianë, austriakë, spanjollë, portugezë dhe hispano-amerikanë të shekullit XX.

Librat e tij janë botuar edhe në Kosovë e në Itali. Regjisori i shquar i varietesë, që jeton mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Spanjës dhe Durrësit, qytetit të tij të lindjes, flet krijimtarinë, raportet mes regjisurës, përkthimit dhe letërsisë, si dhe për jetën e tij personale. Sipas tij, megjithëse nuk ka një “ndarje me thikë” mes këtyre fushave, në krijimtarinë e tij ka dominuar skena, pasi ka punuar 40 vjet si regjisor profesionist.

Gjergj Vlashi nuk e quan “divorc” ndërprerjen e raportit me regjisurën, duke shtuar se tërheqja ka qenë një vendim i arsyeshëm, duke iu nënshtruar ligjeve të jetës e të moshës.  “Vjen një kohë që edhe punës tënde më të dashur duhet t‘i thuash: Mjaft! Kjo fjalë ka vlerë jo vetëm në art, por edhe në fusha të tjera të jetës”, – thotë Vlashi, duke nënvizuar se mund të japësh ndihmesën në gjini të tjera, sidomos në letërsi e në përkthime… Si çdo krijues në fillimet e veta, edhe Gjergj Vlashi ka shkruar fillimisht poezi dhe e quan veten me fat që ka hequr dorë shpejt nga ky pasion, pasi, siç mendon, do të kishte qenë një poet i dobët.

Përkthimi i parë i tij ka qenë “Rrëfimet e një gruaje”, një tregim nga Gi de Mopasan i botuar gati 70 vjet më parë, në vitin 1944, në gazetën “Bashkimi i kombit”. Përkthimi e ndihmoi Vlashin të dëshmojë në skenë mënyra të tjera komunikimi. Pas viteve 1990 ai nisi përkthimin e Kafkës nga gjermanishtja, një prej autorëve më të shquar botërorë. Sjell në shqip veprat “Dera e gjyqit”, “Procesi”, “Metamorfoza dhe novela të tjera”, si dhe “Mjeku i fshatit dhe tregime të tjera”.

Më parë kishte firmosur përkthimet e Dino Buxatit (italisht) e Xhejms Olldrixh (anglisht) e më vonë edhe Hose Saramago (portugalisht), antologjitë me tregime austriake, spanjolle, hispano-amerikane, mes të cilave veçojmë edhe dramën e vetme të shkruar nga Aleksandër Moisiu, me titull “I burgosuri”. “Nuk i kam shkëputur lidhjet me përkthimin dhe më pëlqen që, herë pas here, t’i kthehem asaj pune”, – thotë Gjergj Vlashi, duke shprehur më pas një dëshirë të vjetër: “Do të më pëlqente të përktheja e të botoja “Ditarët” e Franz Kafkës, po deri tashti nuk e kam gjetur botuesin”.

“Kulla e Zhabinëve” është romani i shtatë që ka botuar gjatë 20 viteve të fundit shkrimtari Gjergj Vlashi. “Kam në sirtar edhe shtatë romane të tjerë, ashtu si edhe dhjetëra tregime, komedi apo novela. Ato nuk janë “ëndrra në sirtar”, por vepra të vërteta letrare, të paktën mua, kështu më duken”.