skip to Main Content

Çiftet më të papërshtatshëm në letërsi

images

Para disa ditësh, autorja e mirënjohur JK Rowling pranoi se ishte penduar me vendimin e saj që Hermione të lidhej me Ronin në fund të sagës së Harri Poter. E në fakt, shumë fansa të veprës së njohur u zhgënjyen që Harri dhe Hermione nuk përfunduan bashkë.

Nisur nga kjo deklaratë e Rowling dhe sigurisht edhe nga festa e Shën Valentinit në prag, prestigjiozja angleze “The guardian” ka hartuar një listë me çiftet më të papërshtatshëm në letërsi. Mos u habisni që në këtë listë janë edhe disa nga çiftet që, në të njëjtën kohë, janë bërë sinonim i dashurisë.

1. Hithklif dhe Kethi (Lartësi të stuhishme)

Një dyshe që gjendet edhe në listën e çifteve më të njohura. Sipas “The guardian”, është një nga çiftet më të dashura në letërsi e në të njëjtën kohë një nga më të këqijtë. Marrëdhënia mes Hithklif dhe Kethit mund të përshkruhet si shkatërruese dhe abuzive.

2. Romeo e Zhuljeta

Mund të jetë një nga çiftet më irritues që ka njohur letërsia. E megjithatë, kjo historia e dashurisë me shikim të parë është e lezetshme.

3. Frenk dhe Epril (Rruga e revolucionit)

Një nga çiftet më të realizuar dhe të përshkruar më mirë në letërsinë e gjysmës së shekullit të kaluar. Vizioni i dy bashkëshortëve për jetën dhe të ardhmen është kaq i ndryshëm, sa e vetmja gjë që arrijnë është mbajtja e njëri-tjetrit peng dhe fajësimi i ndërsjellë.

4. Tom dhe Deizi (Getsbi i madh)

Përveç faktit që të gjithë lexuesit e duan Deizin me Getsbin, është e qartë që Deizi dhe bashkëshorti i saj Tom nuk janë për njëri-tjetrin. Ata e trajtojnë keq njëri-tjetrin, nuk kanë respekt, për të mos përmendur pastaj faktin që të dy janë tradhtarë. Gjithsesi, në një anë ata e meritojnë njëri-tjetrin pikërisht për këto arsye, si dhe për egoizmin, lakminë dhe arrogancën që i karakterizon.

5. Eduard Roçester dhe Berta Mason (Jane Eyre)

Në listën e çifteve më të mirë gjithmonë ka pasur vend për Eduardin dhe Xhejnin. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Eduardin dhe gruan e tij të parë, Bertën, me probleme skizofrenie. Ata të dy nuk ishin bërë për njëri-tjetrin, gjë që  duhej ta kishin kuptuar që para se gjithçka të kthehej në flakë… në kuptimin e parë të fjalës.

 

6. Eduard Kallen dhe Bela Suon (Muzgu)

Kjo është e kuptueshme. Eduardi është vampir, Bela jo. Kaq mjafton.

 

7. Ana Karenina dhe Aleksi Vronski (Ana Karenina)

E kuptojmë, seksi ishte i mrekullueshëm dhe marrëdhënia mes tyre mund të ishte një nga më të mëdhatë, por mund të kishin një jetë më të lehtë nëse Ana do t’i dedikohej martesës së saj. Vendimi i saj për të braktisur Kareninin e mërzitshëm për pasionantin Vronski mund të duket i drejtë, por nga ana tjetër, me shumë mundësi Ana nuk do të kishte përfunduar nën tren.

8. Brixhit Xhons dhe Daniel Klever (Ditari i Brixhit Xhons)

Nëse Brixhit dhe Mark ishin çifti perfekt, Brixhit dhe Daniel ishin krejt e kundërta. Ai ishte arrogant dhe narcizist, ajo nuk mund t’i rezistonte sharmit të tij prej djali të keq.