skip to Main Content

Dhunohet ditari i Ana Frankut

Dhjetëra kopje të librit të njohur “Ditari i Ana Frankut” janë dëmtuar këto ditë në bibliotekat publike të Tokios. Në shumë librari u zbulua se librat e Frank ishin me faqe të shumta të grisura.
Policia e kryeqytetit japonez ka nisur një hetim në vijim të ankesës së disa institucioneve. Duket se të paktën 250 kopje të librit apo të botimeve që përmbajnë biografinë e Ana Frankut janë dëmtuar duke grisur mjaft fletë.
“Kemi marrë ankesa nga të paktën pesë njësi administrative të Tokios (e cila numëron 23 njësi), kemi ende për të përcaktuar se sa biblioteka janë prekur nga ky vandalizëm”- u shpreh Satomi Murata, drejtor i bordit të bibliotekave publike të Tokios.
“Çdo ekzemplari i janë shkatërruar 10 deri në 20 faqe, janë për t’u hedhur” -saktësoi Kaori Shiba, drejtor i arkivave në bibliotekën qendrore të bashkisë. “Nuk kemi hasur kurrë në një ndodhi të ngjashme”.

Organizata të ndryshme nga e gjithë bota, hebreje ose jo, kanë dënuar aktin e vandalizmit, duke e cilësuar si një fushatë urrejtjeje.

Ana Frank e shkroi ditarin gjatë dy viteve kur, së bashku me familjen e saj, jetoi fshehur në një apartament në Holandë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pasi familja e saj u kthye me forcë në Gjermani, Ana vdiq në një kamp përqendrimi, në vitin 1945, kur ishte vetëm 15 vjeç. Babai i saj mbijetoi dhe publikoi ditarin, që është shndërruar në materialin më të lexuar nga periudha e Holokaustit.