skip to Main Content

Dokumentet personale të Heminguejit në dispozicion të studiuesve amerikanë

Ernest-Heminguej

Më tepër se dymijë dokumente të ruajtura në muzeun “Finca Vigia” të Havanës, Kubë, rezidenca e Ernest Heminguej në lartësitë jugore të kryeqytetit kubanes, janë dixhitalizuar dhe transferuar në bibliotekën dhe muzeun “John F. Kennedy”. Revista kulturore kubanese “Cuba Comtemporanea” njoftoi se këto dokumente u janë vënë në dispozicion studiuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“I gjithë ky material pasqyron jetën e përditshme të Heminguejit në Kubë dhe ofron një vizion shumë personal të jetës së tij”, i shpjegoi revistës Susan Wrynn, punonjëse në bibliotekën ”Kennedy”.

Mes morisë së dokumenteve gjendet edhe telegrami që njoftoi marrjen e çmimit Nobel për Letërsinë nga romancieri amerikan Ernest Heminguej.

“Ndër të tjera, është telegrami i doktor Anders Osterling, i Akademisë Suedeze, ku njoftohet Hemingueji se ka fituar çmimin Nobel në vitin 1954, si dhe disa mesazhe urimi nga Carl Sandburg, Spencer Tracy, Veronica Cooper, bashkëshortja e Gary Cooper, apo edhe John Huston”- njofton revista.

Deri para disa vitesh, arkivi me dokumentet e Heminguej nuk ishte i hapur as për publikun kubanes. Të gjitha dokumentet kishin  qëndruar për dekada të tëra në kantinën e shtëpisë së tij në Kubë. Arkivi përmban edhe fotografi, letra dhe dorëshkrime, si dhe epilogun e pabotuar të romanit “Për kë bien kambanat”.

Hemingueji jetoi në Kubë nga viti 1939 deri në 1960-n, ku  u frymëzua veçanërisht për veprën “Plaku dhe deti”.