skip to Main Content

Doris Lessing – rrëfimtarja e keqkuptuar

lessing_slider1

“Blloku i artë” – libri më i njohur i Lessing, është cilësuar si far për feminizmin; Bibla e emancipimit të çdo gruaje që kërkon më shumë, që kërkon më shumë nga vetja, jo nga burrat. Një libër i ndërlikuar, por shumë seksi. Një histori për vështirësitë që has gruaja ndryshe, gruaja protagoniste, që është një shkallë më lart në emocion, zgjuarsi dhe seksualitet se burrat e rëndomtë.

Por Doris Lessing nuk ka pranuar kurrë se ka shkruar letërsi feministe, madje shpesh është shfaqur si antifeministe. Në një intervistë të vitit 2003, ajo sulmoi lëvizjet e femrave që duan t‘i pronësojnë librat dhe ca më keq akoma t‘i shtrembërojnë idetë. Ajo sulmoi gratë që kujtojnë se botën e përmirëson lufta me burrat. “Makina larëse, aspiratori për pluhurat dhe tableta kundër shtatzënisë e kanë ndryshuar jetën e grave, jo sloganet”,- ka thënë ajo.

Edhe pse shumë e adhuronin si një ikonë të feminizmit, Doris Lessing e konsideronte veten si rrëfyese. Ajondërlidhte eksperiencën e jetuar me ngjarje të historisë botërore. Ajo e konsideronte vetën si rrëfyese të tregimeve dhe besonte në fuqinë e fjalës së shkruar.

Lessing pati një fillim të vështirë në Angli, por shpejt ajo shndërrua në njërën nga përfaqësueset më të rëndësishme të letërsisë angleze të kohës së pas luftës. Libri i saj i parë, i cili kishte për temë marrëdhëniet e vështira mes të bardhëve dhe zezakëve në Rodezinë Jugore të atëhershme, u ribotua disa herë brenda 5 muajsh.

Në vitin 2007, Doris Lessing u nderua me çmimin Nobel në Letërsi, një çmim që për shumë ishte tejet i vonuar.

Nga Doris Lessing, lexuesi shqiptar është njohur me veprën “Fëmija i Pestë”, i ardhur në shqip nga “Skanderbeg Books”.

Nobelisja dhe një nga shkrimtaret më të njohura femra, Doris Lessing, ndërroi jetë disa ditë më parë, në moshën 94-vjeçare.