skip to Main Content

Dyqind vjet “Krenari dhe paragjykim”

Krenari_dhe_paragjykim_web

Dyqind vjet “Krenari dhe paragjykim”

 

“Është e ditur botërisht se një burrë beqar dhe i pasur është patjetër në kërkim të një gruaje” – nga kjo fjali hyrëse, që tashmë është bërë e pavdekshme, “Krenari dhe paragjykim” ka magjepsur lexuesit në të gjithë botën për 200 vjet me radhë.

Vepra më e njohur e Jane Austen, të cilën ajo vetë e ka cilësuar si “fëmijën e saj të dashur”, u publikua dy shekuj më parë, më 28 janar 1813. “Krenari dhe paragjykim” u shkrua nga një vajzë e re, pa ndonjë edukim cilësor, për 10 muaj, kur ishte vetëm 21 vjeçe. Askush nuk e mendonte, 200 vjet më parë, se e gjithë bota do ta mbante mend historinë e Elizabeth Benet, apo edhe emrin e autores.

Mark Twain dhe Charlotte Brontë e urrenin, Rudyard Kipling e adhuronte, Virxhinia Woolf e vlerësonte si më të madhen e novelisteve femra (“shkrimtarja më e mirë femër, librat e së cilës janë të pavdekshëm”), F. R. Leavis dhe Lionel Trilling certifikuan statusin e saj akademik…  Më pas erdhi adaptimi i librit në kinema e televizion, pastaj kritika feministe, pastaj Kolin Firth…

Jane Austen u rrit në një familje të madhe, ndau dhomën me të motrën, nuk udhëtoi kurrë jashtë, u bë e pasur, pastaj e varfër dhe vdiq lëneshë (dhe pa diskutim e virgjër) në moshën 41-vjeçare. E ndërkohë ajo shkroi “Krenari dhe paragjykim” – një vepër  që  kundërshton një nga besimet tona më të forta, se emocionet janë absolutisht të vlefshme.

Në historinë e Elizabeth dhe mënyrën e ndryshimit të saj, Austen na tregon diçka tjetër: emocionet janë të gabuara, shpesh paragjykuese, sado të vërteta të duken për një farë kohe.  Në këtë libër, Austen na jep gjithçka që duam: heroinën e adhuruar dhe një hero që nuk është vetëm i pashëm, por edhe i pasur… si edhe pak arrogant dhe i padurueshëm, çka e bën edhe më tërheqës për femrat.

Darsi dhe Elizabeth janë shndërruar në mite dhe vazhdojnë të kenë të njëjtin efekt. Si është e mundur që edhe pas 200 vjetësh historia e dashurisë mes krenarit dhe të pasurit Darsi dhe Elizabetës së varfër vazhdon të na rrëmbejë zemrat?

1. Është mishërimi i “përgjithmonë të lumtur”:“Krenari dhe paragjykim” vendosi idenë e fundit të lumtur në romanca. Në këtë libër të kundërtat shtyhen dhe më pas tërhiqen: Zoti Darsi është arrogant, Elizabeth është e shkathët dhe plot jetë; ai është i pasur, ajo është e varfër; ai është i dashuruar, ajo nuk e duron dot. Për t’i fituar zemrën, Darsi detyrohet të bëhet më i butë dhe i sjellshëm, por në të njëjtën kohë edhe Elizabeth ndryshon.

2. Është i këndshëm dhe plot humor:Pesë vajza të pamartuara në një zonë rurale të Anglisë. Nëse nuk martohen do të përfundojnë të punojnë si guvernante. Dialogët në libër janë të mrekullueshëm dhe me nota humori.

3. Gënjeshtra, seks dhe arratisje adoleshentësh: “Krenari dhe paragjykim” nuk është thjesht një romancë me fund të lumtur.

4. Dy shekuj më parë, njerëzit e pasur nuk punonin: Të gjithë personazhet e pasur kanë një të përbashkët: shmangin punën. Ata vizitojnë femrat, marrin pjesë në ballo, dalin për gjueti. Ku ka më mirë!

5. Teknologjia ndryshon, natyra njerëzore mbetet e njëjtë: Vajzat e vogla Benet mund të përshtaten në çdo shkollë të ditëve të sotme.

Në fund, personazhet e Jane Austen të  magjepsin edhe sot. Nuk ka rëndësi nëse “Krenari dhe paragykim” e lexoni në variantin print apo në një tabletë, historia sesi zoti Darsi i rrëmbeu zemrën Elizabeth Benet do t’i mbërthejë njerëzit edhe për 200 vitet në vijim.

 

Elona Qose?