Erickson, një misionar e diplomat në shërbim të Shqipërisë
Jeta e një amerikani të jashtëzakonshëm kushtuar Shqipërisë vjen nga Mal Berisha në tre vëllime:
“Charles Telford Erickson – Jeta dhe vepra për Shqipërinë dhe në Shqipëri”.
Erickson ishte një pastor amerikan, që jetoi bashkë me familjen për 30 vjet në Shqipëri. Erdhi në Shqipëri si një misionar dhe u kthye në diplomat, duke i kushtuar jetën Shqipërisë. Mal Berisha shkon më tej, duke e konsideruar si një nga njerëzit që ka luajtur një rol kyç në historinë e kombit shqiptar. Në vitin 1919, fill pas dëbimit nga Shqipëria nga forcat serbe, Erickson iu bashkua delegacionit shqiptar të drejtuar nga Turhan Pasha, me Mehmet Konicën, Mikel Turtullin, Lef Nosin, At Bumçin e Mitat Frasherin në Konferencën e Paqes në Paris.
Për shkak të një njohjeje me zonjën Willson, zonjën e parë të SHBA-ve, ai arriti t’u jepte përparësi letrave për Shqipërinë, gjë që çoi që në krye të dy javëve presidenti amerikan Willson të dilte me një deklaratë, ku reagoi kundër Traktatit të Fshehtë të Londrës që bëri copëtimin e Shqipërisë.Në vitin 1920, Erickson u emërua komisioner i qeverisë shqiptare në Washington dhe më pas qeveria amerikane, pasi e njohu Shqipërinë si shtet të pavarur, e emëroi diplomat në Ambasadën Amerikane në Tiranë në vitin 1922.
Më pas ndërmori hapjen e Shkollës Bujqësore të Kavajës, e cila përbën një ndër faqet më të ndritura të biografisë së Erickson-it dhe në fakt një ndër arritjet më të mëdha në historinë e arsimit shqiptar. Më datën 24 gusht të viti 1931, Erickson mori dekoratën Medalja e Artë e Skënderbeut, nga Mbreti Zog, dhe në vitin 1937 u ftua nga Mbreti Zog dhe mori pjesë si i ftuar nderi në përvjetorin e 25 të Shpalljes së Pavarësisë. Në vitin 1945 mori pjesë në Konferencën e San Franciskos si delegat i “Vatrës”.Veç tjerash, Erickson na ka lënë trashëgim librin e tij “Saga e shqiptarëve”, një ndër historitë më të bukura të shkruara ndonjëherë për shqiptarët.