skip to Main Content

Flet “Trimnika”

802Trimnika

Flet “Trimnika”…
E luftuar pabesisht dhe e anatemuar nga persona të rëndësishëm të medias e më gjerë, vendosa të hakmerrem me këtë libër”, – ky është sqarimi i artistes Inida Gjata, siç njihet ndryshe Zhaku, për punën e saj më të fundit, “Trimnika”.

Ka dalë këtë javë nëpër libraritë e vendit vëllimi i parë i “Trimnikës”, një cikël i përmuajshëm botimesh, përmbajtja e të cilit ka zënë vend në të gjitha gazetat e përditshme, duke qenë se është paksa…e veçantë. Pas eksperiencës së shumëpërfolur në reality show-n “Vip Shpija”, ku u konfliktua me shumë nga pjesëmarrësit në program, Zhaku vendosi të flasë nëpërmjet Trimnikës.

Ajo është protagonistja e historisë, një personazh i animuar, në bashkëveprim me të tjerë përsonazhe të njohur të show-bizit, shumë prej të cilëve Zhaku dikur i konsideronte miq dhe prej të cilëve është zhgënjyer më shumë. Zhaku flet në këtë libër për Flori Mumajesin, të cilin e quan 3 pikëshi dhe që e përshkruan si mosmirënjohës, që jo vetëm nuk e ka falënderuar për disa tekste këngësh, por edhe ka “harruar” ta paguajë.

Një tjetër personazh në këtë vëllim është Kastro Zizo, të cilin edhe më parë artistja e ka akuzuar se i ka vjedhur këngën “Doruntina’, si dhe Albana Osmani, moderatorja që Zhaku e quan me emrin Hajvana dhe që në libër përshkruhet si një vajzë tipike budallaqe, e përkëdhelur dhe e llastuar. Një tjetër e veçantë është se çdo rrëfim në këtë libër Zhaku e ka ilustruar me skica dhe karikatura mbi personazhet.

Që është një artiste e kompletuar dhe tejet e talentuar, kjo dihet nga të gjithë; edhe që nuk është shquar ndonjëherë për stepje, përkundrazi është një personazh që flet gjithmonë mendjen e vet, edhe kjo dihet, por të nisësh një “sulm” ndaj personazheve publike, duke u nxjerrë të palarat, kjo kërkon guxim.

Ndaj, komplimente Zhaku!

Elona Qose