skip to Main Content

Gëzuar ditëlindjen, Dritëro Agolli!

DRITERO-AGOLLI24

Një nga ikonat e letërsisë shqipe, shkrimtari i nderuar Dritëro Agolli bëri 82 vjet. Të shumtë qenë ata që e nderuan më 13 tetor, që e uruan për së largu, të përulur para mençurisë dhe talentit të tij. Të shumtë qenë ata që i mbushën faqet e tyre sociale me krijime të tij. Një dhuratë simbolike për këtë 82-vjetor ishte edhe një çmim.

Pak ditë më parë, Dritëro Agolli u nderua në Itali me Çmimin Kombëtar për Letërsinë “Carlo Levi”, me motivacionin: “Poet, gazetar dhe shkrimtar, ngushtësisht i lidhur me traditën dhe rrënjët e tij nga vendlindja, duke vënë gjithnjë në pah me krenari origjinën e tij. Vargjet e tij i japin jetë një thirrjeje prekëse, në të cilën të gjitha elementet e jetës gërshetohen e shkrihen te njëri-tjetri për të ravijëzuar një identitet, i cili është fëmijëri, punë, dhimbje, beteja, dashuri, përhumbje dhe shpëtim.

Në romanet e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe “Njeriu me Top”, me kurajë të admirueshme, Agolli i jep jetë kritikës sarkastike ndaj burokracisë tek i pari dhe përkujtimit epik dhe ironik të heroizmit partizan në luftën kundër nazifashizmit tek i dyti. Dritëro Agolli  në rolin e tij për njëzet vjet si president i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe më pas anëtar i Parlamentit, gëzon një famë të tejskajshme në vendin e tij, që e ka dashur dhe e do me mjaft dhembshuri”.

Ceremonia e dhënies së çmimit u mbajt më 5 tetor në Aliano, pranë auditoriumit të komunës në Aliano të Italisë. Emocione të veçanta ngjallën te të pranishmit fjalët e përshëndetjes së Dritëro Agollit, të lexuara nga vajza e tij, Elona, që shprehte edhe një herë magjinë e fjalës së Agollit.  “Të nderuar miq, unë sot duhej të isha atje mes jush, por jam një kalë që i kanë dalë brinjët dhe i kanë rënë patkonjtë nga udhëtimi i gjatë, megjithatë, këtij kali patkonjtë e trurit ende i mbajnë.

Por, të mos bëhem i mërzitshëm si personazh parlamenti, falënderoj jurinë e Edicionit XVI të Çmimit Kombëtar për Letërsinë “Carlo Levi” dhe veçanërisht Rafaele Nigron, mikun e mirë dhe shkrimtarin e shquar, vepra e të cilit tanimë është njohur dhe pritur në Shqipëri me dashuri dhe vlerësim nga lexuesit e shumtë dhe kritika letrare”.  Krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme.

Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Ndërsa në prozën e tij, Agolli solli risi jo vetëm në strukturën narrative, por edhe në galerinë e personazheve, sa të çuditshëm aq edhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë. Agolli ka shkruar vepra të famshme që kanë hyrë në fondin më të mirë të letrave shqipe. Kujtojmë këtu “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Arka e djallit’, poezitë e pafundme të tij, si dhe vepra të tjera, që janë analizuar dhe përmenden shpesh.

Personalisht, pavarësisht se e lexoj gjithherë me ëndje prozën e Agollit,kënaqësinë më të madhe e marr kur lexoj poezitë e tij, tejskajshmërisht të thjeshta dhe në të njëjtën kohë kaq të pasura në ndjenjë.  Prej disa kohësh, shkrimtari është duke përgatitur një libër me kujtimet e tij, që shpresojmë të jetë gati sa më shpejt.

Deri atëherë, i urojmë shëndet shkrimtarit, poetit, publicistit, mendimtarit, burrit të mençur, Dritëro Agolli! ?