skip to Main Content

Java e Bibliotekës – shumë më tepër sesa thjesht libra

biblioteke2

Shpesh dëgjoj njerëz që ankohen se askush nuk lexon më. Nuk mendoj kështu. Ndryshimi është se sot njerëzit lexojnë në mënyra të ndryshme. Bibliotekat bashkëkohore janë shumë më tepër sesa thjesht libra. Ato promovojnë leximin e librave, japin informacione dhe në të njëjtën kohë ofrojnë akses teknologjik. Në vitin 2013, në kohën e erës dixhitale, është krijuar ideja – e gabuar – se libri e ka humbur magjinë.

Njerëzit gjithmonë e më shumë përdorin burime alternative për të marrë informacion; leximi online ka fituar përparësi, por kjo nuk do të thotë se nuk lexohet më. Progresit teknologjik i janë përshtatur edhe bibliotekat, të cilat nuk konsiderohen më si thjesht vende leximi. Tashmë të pajisura me internet dhe sisteme dixhitale, ato gjithnjë e më shumë po tërheqin njerëz. Vende të zhvilluara, çdo ditë zhvillojnë ide të reja, duke futur nëpër biblioteka edhe punë në grupe për të promovuar leximin.

Prej vitit 1958, Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvillojnë Javën Kombëtare të Bibliotekës, një aktivitet që ndër vite është përhapur edhe në vende të tjera. Sensibilizimi ndaj leximit, leximet në grupe, njohja me autorë të rinj pa mundësi të mëdha promovuese janë ndër aktivitetet kryesore të Javës së Bibliotekës.Në këtë rrjedhë, të dielën nisi edicioni i 11-të i Javës së Bibliotekës në Kosovë, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Prishtinë.

Edhe edicioni i sivjetëm do të ketë mjaft aktivitete të ndryshme dhe ligjërata të veçanta për teknologjinë dhe informacionin, dixhitalizimin e librave dhe për programet e reja të përpunimit të librave në bibliotekat e botës.