skip to Main Content

Këtë vit do të lexoj më shumë…

bibloteke me libra dhe nje vajze duke lexuar liber

Me fillimin e vitit të ri, pjesa më e madhe e njerëzve i vënë vetes disa qëllime për të arritur. Është bërë tashmë e njohur që në fillim të vitit t’i premtojmë vetes se, p.sh. do të humbim në peshë apo do të lëmë cigaren apo do të nisim palestrën apo do të kursejmë më tepër. Fatkeqësisht, pjesën më të madhe të këtyre qëllimeve e kemi harruar pa hyrë mirë muaji shkurt.

E njëjta gjë më ka ndodhur shpesh, sigurisht me përjashtime. Si dashamirëse e librit – dhe sepse librin e kam edhe punë – qëllimin për të lexuar më shumë e kam plotësuar gjithmonë.

Mbase për këtë arsye mund të mos jem shumë e kuptueshme ndaj shpenzimit të kohës në mënyrë jocilësore, duke qenë se për mendimin tim, leximi është ushtrim për mendjen, siç është palestra për trupin.

Duke u hedhur një sy disa blogjeve të njerëzve të ndryshëm, të cilët më duket interesantë në këndvështrimet e tyre për çështje kryesisht të lidhura me artin, lexova një shkrim të një mikeje virtuale, e cila i ka vënë qëllim vetes të lexojë më shumë. Duke medituar mbi jetën e saj aktuale, kuptonte se pas orëve të gjata të punës, e vetmja gjë që bënte ishte të shihte programe televizive derisa ta zinte gjumi. Madje, kishte kaluar sa e sa të diela duke parë futboll. Dhe ajo nuk e pëlqen futbollin! Por duke parë ato programe ku ngecte telekomanda dukej më e thjeshtë sesa të hapte një libër.

Të kuptohemi, nuk ka asgjë të keqe të shikosh pak televizor. Vetë e adhuroj kinematografinë dhe përveç ndjekjes së filmave në kinema, e ndaj kohën edhe për ndonjë program televiziv, qoftë politik, social apo kulturor.

Por asgjë, as kinemaja me prodhimet vizuale fantastike, nuk e zëvendëson dot librin, nuk e përcjell dot ndjesinë që të jep leximi i një historie të mirë.

Një nga qëllimet që mund të mbahet më lehtë është pikërisht leximi i disa faqeve në ditë. Në kohën kur shumë adoleshentë, të dhënë pas teknologjisë, nuk kanë lexuar një libër të plotë gjatë gjithë vitit, mbase është mirë që të gjithë t’i vënë vetes qëllime të tilla. Teknologjia nuk vjen në ndihmë në këtë rast, kur është më e lehtë të lundrosh në internet me tabletën në shtrat sesa të shfletosh një libër. Por mjafton dëshira e mirë dhe ka gjithmonë kohë për të dyja.

Ka shumë mënyra për t’u bërë lexues më i mirë në 2014-n, qoftë duke lexuar vetëm libra të rinj, romanca apo aventura, qoftë duke iu kthyer klasikëve; mund vendosni të lexoni vetëm libra të shkruar nga autore femra apo libra të një zhanri që më parë e keni evituar. Është në dorën tuaj. Thjesht provojeni – mendja do t’ju falënderojë!