Kongoli tani “flet” edhe serbisht…
Në pritje të panairit të libri në Tiranë, ku shkrimtari Fatos Kongoli do të paraqitet me librin më të ri të tij, “Njeriu me fat”, një prej veprave të njohura të autorit ka zënë vend në stendat e panairit të librit në Beograd. Romani “Lëkura e qenit” i Fatos Kongolit është botuar në serbisht nga shtëpia botuese “Samizdat-B92”, përkthyer nga Hamdi Ukaj.
Botimi në serbisht i këtij libri vjen pas botimeve të tij në frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, sllovakisht, polonisht, italisht dhe vitin e kaluar në gjuhën esperanto. “Lëkura e qenit” është një roman i publikuar në vitin 2003. I cilësuar si një libër halucinant, ku shkrimtari Fatos Kongoli arrin nivelin më të lartë të prozës, “Lëkura e qenit” ka marrë kritika mjaft pozitive.
Në krijimtarinë e shkrimtarit, ai ishte ura e kalimit nga një sferë krijimtarie në tjetrën. Personazhet e këtij libri të kujtojnë dëshira dhe vese që çdokush i mban fshehur, që çdokush i prek por i ndrydh në thellësi të vetëdijes, pa i lënë kurrë të dalin krejtësisht të zhveshura nën vështrimin e të tjerëve. Romani “Lëkura e qenit” i ngjan një udhëtimi në kohë.
Personazhi kryesor, Krist Tarapi, që shpesh quhej gabimisht zoti Trapi, është një karakter i veçantë nga mënyra e të jetuarit. Rrëfimi nis në kujtimet e këtij personazhi, kur ishte fëmijë dhe kishte zbuluar fytyrën e parë të bukur të kësaj bote, nënën. Një fëmijë që ka pasur përreth gjithmonë histori përndjekjesh, internimesh e ndarjesh të dhunshme njerëzish.
Kjo deri në moshën e vonë të tij, kur historitë vijojnë të jenë gjallë e të ngrenë krye nëpër kujtime dhe ëndrra. E paralelisht me këto histori ai ka pasur përreth vetes femrat që mundën të hyjnë në jetën e tij të trazuar, mbushur plot me gabime e mëkate njerëzore. Ato gjithmonë i pa si fytyra e bukur e botës.
Në? lidhje me titullin e romanit, pa dyshim një nga më të suksesshmit e tij, vetë Kongoli është shprehur se ishte si një lloj imponimi si thelb i personazhit kryesor, i cili tërë kohën ironizon veten: “E ndjera nëna ime, për gratë e pafata me burrat e tyre tërë vese, përdorte shprehjen “ka vajtur si gjalpi në lëkurë të qenit”. Sipas nënës sime, një cope lëkure qeni mund t’i hedhësh gjalpë sa të duash, ajo nuk gatuhet, lëkurë se lëkurë mbetet.
Një shpjegim tjetër për ketë shprehje, që më duket më i saktë, ka qenë ai i një blegtori. Sipas tij, dikur, nëpër baxhot në mal, barinjtë e “konservonin” gjalpin të futur brenda një lëkure qengji. Aty gjalpi ruhet, nuk prishet. Në një lëkurë qeni gjalpi nuk ruhet, prishet. Këndej ka dalë edhe shprehja për gratë e vajtura dëm me burra të padenjë, siç është i padenjë edhe personazhi kryesor i librit për bashkëshorten e tij.
I penduar pas vdekjes së saj, ai e quan veten “lëkurë qeni” e ky është lajtmotiv i gjithë romanit”. ?