Kujtimet e Hillary Clinton, botimi më i rëndësishëm i 2014-s
Libri i kujtimeve të Hillary Clinton për periudhën që punoi si Sekretare e Departamentit Amerikan Shtetit, do të jetë libri më i madh politik, dhe ndër më kryesorët në treg vitin e ardhshëm. Parashikimet vijnë nga kompanitë më të mëdha në botë të shitjes së librave.Libri i pestë i Clinton, me titullin e përkohshëm “Kujtime”, do të publikohet në vitin 2014. Botuesi Simon & Schuster njoftoi se tashmë ka fituar të drejtat e autorit dhe zbuloi se në këtë botim, zonja Clinton do të ndajë disa nga eksperiencat si Sekretare e Shtetit, si dhe idetë e saj se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të përballojnë sfidat e ndryshimeve dramatike në të gjithë botën gjatë shekullit XXI.Në këtë libër, Clinton do të shkruajë për momente të rëndësishme, për ngjarje me ndikim jo vetëm në politikën amerikane, si vrasja e Osama Bin Laden, Pranvera Arabe dhe fuqizimi i Kinës.
“Përveç këtyre, ish-Sekretarja Clinton do të ofrojë momente më personale, kujtime nga bashkëpunimi me Presidentin Barak Obama dhe me stafin e tij të sigurisë kombëtare, si dhe nga takimet me liderët nëpër botë”,- tha Simon & Schuster, që e përshkruan Hillary Clinton si një politikane që ka lënë gjurmë në çdo fazë të karrierës së saj, si Zonjë e Parë, si senatore, Sekretare Shteti dhe së fundmi autore.
Libri i mëparshëm me kujtime i zonjës Clinton ishte një sukses i madh, duke shitur 200 mijë kopje vetëm në ditën e parë të publikimit në SHBA, kur u botua në vitin 2003, ndërkohë që, nga ajo kohë, reputacioni i saj është rritur pas punës në administratën “Obama”. Ajo është popullore dhe një figurë e rëndësishme botërore.
Që tani libri është parashikuar të jetë ndër më të rëndësishmit e vitit tjetër. Por shumë njerëz besojnë se ajo do të kandidojë për në Shtëpinë e Bardhë, çka padyshim do të jetë një faktor shtesë në suksesin e librit. Një tjetër faktor është se numri i femrave të fuqishme politikane është përgjithësisht i vogël dhe një libër nga zonja Clinton do të përfitojë nga kategoria e lexueseve femra.
Pavarësisht të gjithave, ekspertët besojnë se libri i zonjës Clinton nuk do të mund të kalojë suksesin e bashkëshortit të saj, Bill Clinton, libri i të cilit “Jeta ime” theu çdo rekord, duke shitur 400 mijë kopje ditën e parë të botimit.?