“Kukullat nuk kanë atdhe”
“Kukullat nuk kanë atdhe” nga Flutura Açka është vlerësuar si romani më i mirë i Panairit të 15-të të Librit në Prishtinë. Juria, në përbërje poetët Ilir Zajmi – Rugova, Anila Xhekaliu dhe Naim Kelmendi, ka qenë unanime sa i përket ndarjes së çmimeve.
Me çmimin për poezinë më të mirë është vlerësuar libri “Pothuajse dje” i Luljeta Lleshanakut, e cila ka qenë edhe mysafire e panairit të sivjetmë. Çmimi për librin më të mirë për fëmijë i ka takuar Shkëlzen Zallit për librin “Zogj të bardhë”. Çmimin për kritikë letrare e mori studiuesi e kritiku Kujtim M. Shala për librin “Gjenetika vs poetika”.
Përkthyesi i vitit është vlerësuar Amik Kasoruho për përkthimet e tre vëllimeve të librit “Revolta e Atlasit” i Ayn Rand, “Mosha e pafajësisë” nga Edith Warton dhe “Damka e turpit” e Nathaniel Hawthore. Me çmimin për autorin e vitit 2013 është vlerësuar Albatros Rexhaj për romanet “Bombë në Beograd” dhe “Ditar dashurie i një shkrimtari”. Stenda e botimeve “Koha” është shpallur më e vizituara e edicionit të 15-të të panairit “Prishtina 2013”.
Panairi i 15-të i librit “Prishtina 2013” u mbyll të dielën pasdite, me vlerësime suksesi, duke arritur numrin mbi 30 mijë të vizitorëve. Panairi e shndërroi kryeqytetin e Kosovës për një javë në kryeqytet të librit shqip, me pjesëmarrjen e mbi 100 botuesve, me rreth 1300 tituj të rinj nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e diaspora.
Panairi në ambientet e Pallatit të Rinisë, në vitin e 5-vjetorit të Pavarësisë e në prag të 14-vjetorit të Ditës së Lirisë së Kosovës, shënoi edhe jubile të personaliteteve letrare shqiptare: 100-vjetorin e lindjes së Petro Markos, 100-vjetorin e lindjes së Vedat Kokonës, 100-vjetorin e lindjes së Isuf Luzajt, 90-vjetorin e lindjes së Jakov Xoxes, 90-vjetorin e lindjes së Vehap Shitës dhe 30-vjetorin e vdekjes së Musine Kokalarit