skip to Main Content

Pse kombet shkojnë në luftë

perse-kombet-shkojne-ne-lufte-john-gstoessinger

Në një situatë të tensionuar në pjesën tjetër të botës, kur qindra njerëz humbën jetën si pasojë e përdorimit të armëve kimike, Siria është bërë çështje kryesore e marrëdhënieve ndërkombëtare, pa përjashtuar edhe një ndërhyrje të mundshme ushtarake.

Në periudha si kjo, janë të pashmangshme pyetjet. Pse kombet shkojnë në luftë? – është pyetja që merr përgjigje në librin studimor të John G. Stoessinger, të sjellë në shqip nga “Tirana Times @ AIIS”.

“Pse kombet shkojnë në luftë” është unik. Reflektimet dhe argumentet e autorit janë ndërtuar mbi 10 çështje studimore, mbi të cilat ai bën një analizë të thellë të arsyeve të luftërave të kohëve moderne, duke nisur që nga Lufta e Parë Botërore deri në ditët e sotme.

“Pse kombet shkojnë në luftë” është shumë më tepër sesa thjesht një libër. Duket sikur fjalët janë shndërruar në pamje vizive të ngjarjeve të shekullit XX dhe të fillimit të shekullit XXI. Historia dhe vendimit politike të kësaj periudhe përshkruhen në faqet e këtij libri, ndërsa autori analizon çështjet në veçanti duke mbuluar luftërat e mëdha ndërkombëtare. Vëmendja kryesore në secilën prej çështjeve studimore është përqendruar te personalitetet politike dhe liderët ushtarakë.

Stoessinger beson se për të kuptuar luftën duhet të kuptosh drejtuesit e saj; për të kuptuar liderët duhet të kuptosh aksionet e tyre dhe vetëm kur arrin të kuptosh qëllimet e veprimeve të tyre ke marrë përgjigjen e pyetjes se pse kombet shkojnë në luftë.

Në çdo studim të tij – përfshirë Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, luftën koreane, luftën në Vietnam, luftën mes Indisë dhe Pakistanit, atë mes Izraelit dhe Arabisë, luftën e Sadam Huseinit në Gjirin Persik, si dhe luftën në territoret e ish-Jugosllavisë – ai analizon në thellësi personalitetet e vendeve të përfshira në konflikt.

Stoessinger arrin në përfundimin se faktori më i rëndësishëm në nisjen e një konflikti është perceptimi i gabuar, që mund të shfaqet në disa mënyra: në imazhin që një lider ka për veten, në këndvështrimin e tij për kundërshtarin etj. Në nisje të çdo lufte, të paktën një komb e percepton gabim fuqinë e kombit tjetër. Në këtë kontekst, fillimi i një lufte fare mirë mund të konsiderohet edhe aksident.

“Pse kombet shkojnë në luftë” është një punim dinjitoz, me një prozë të qartë që ndërlidh intelektin me pasionin, çka vjen si pasoje e eksperiencës jetësore të autorit si refugjat i Luftës së Dytë Botërore. Stili i tij të tërheq, duke i bërë lexuesit – dhe studentët në veçanti, të cilëve kjo vepër do t’u jetë mjaft e dobishme – të ndiejnë sikur po bisedojnë me autorin.

Dr. John G. Stoessinger është një analist politik i mirënjohur dhe autor i disa librave politikë të nderuar me çmime.