Librat më të dashur të fëmijëve në prag të 1 qershorit
Jemi në prag të 1 qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve. Kjo datë është kthyer jo vetëm në një ditë festive, por edhe sensibilizimi, me qëllim shtimin e vëmendjes në drejtim të mirëqenies së fëmijëve. Dhe 1 qershori është dita kur më shumë se çdo herë tjetër, çdo gjë rrotullohet rreth fëmijëve, madje edhe të rriturit, duke u bashkuar me të vegjlit e tyre, bëhen nga pak “Piter Pan”.
Për të celebruar këtë datë, botimeshqip.com për disa ditë do t’u kushtojë vëmendje të posaçme krijimeve për fëmijë. Jo vetëm kaq, ne ju vijmë në ndihmë me ide për dhurata dhe a ka dhuratë më të çmuar sesa libri?! Akademikët dhe specialistët e fëmijëve janë të gjithë në një mendje se librat e shoqëruar me figura ndihmojnë në zhvillimin e fëmijëve.
T’u mësosh fëmijëve që në etapat e hershme të jetës kënaqësinë e leximit, shoqëruar me figura, është një nga dhuratat më të çmuara që mund t’u bësh. Imagjinata e fëmijëve e bën librin me figura një medium të fuqishëm, që i transporton në vende fantastike. Një libër i shkruar mirë i lejon fëmijët të eksplorojnë emocionet e tyre. Në tregun e librit janë të shumtë titujt e librave të dashur për fëmijë. Në botimeshqip.com gjeni të gjithë klasikët në botime cilësore: “Borëbardha”, “Hirushja”, “Sirena e vogël”, “Princesha e fjetur”, “Pinoku”, “Maçoku me çizme”…
Nuk mund të mungojnë botimet më edukative, që nga tekstet për fëmijët që sapo kanë përfunduar klasën e parë, libra të lidhur ekskluzivisht me festën e abetares. Për më të rriturit, janë gjithmonë librat e Zhyl Vernit, aq të dashur për të gjithë brezat dhe, sigurisht, libri më i dashur nga fëmijët kohët e fundit, cikli me shtatë vëllime i “Harry Potter”.
Është interesante që shumë nga ne, të rriturit, kur kthejmë kokën pas kuptojmë se kemi lexuar të njëjtët libra kur ishim fëmijë, të njëjtët libra që i lexojnë edhe fëmijët tanë sot.
Sepse e bukura e letërsisë është se ajo nuk plaket kurrë!